Rugova largohet nga Kombëtarja: Mungojnë fondet
Kombëtarja e futbollit në Kosovë mbetet pa trajner. Drejtuesi i stolit, Edmond Rugova, i dha lamtumirën skuadrës. Arsyet kryesore që e shtynë ish-lojtarin e famshëm të Prishtinës së viteve ‘80 të merrte vendimin ekstrem ishin problemet ekonomike. "Duke qenë i vetëdijshëm për vështirësitë financiare me të cilat përballet Federata e Futbollit dhe Ministria e Sportit, përpara një muaji kam hartuar një projekt të ri, me buxhet minimal, nëpërmjet të cilit do të mundësohej një punë më e reduktuar, por sistematike me ekipin. Megjithatë, askush nuk dha përgjigje konkrete", deklaroi trajneri në një konferencë për shtyp. "Me këtë situatë, e shoh të arsyeshme të mos e vazhdoj më punën time në postin e trajnerit të përfaqësueses së Kosovës. E them këtë, sepse puna e deritanishme dhe kushtet për të ardhmen nuk e justifikojnë përgjegjësinë që kemi ndaj futbollistëve dhe dashamirëve të futbollit kosovar". Rugova konfirmoi se është impenjuar edhe personalisht për të gjetur fonde, por kjo ka qenë e pamundur. Sipas tij, nuk është normale që ekipi Kombëtar të grumbullohet vetëm një herë në vit. "Jam angazhuar personalisht për të kërkuar ndihmë financiare. Janë të pakta dyert ku nuk kam trokitur. Për më tepër, Federata duhet të zotërojë mjetet e veta financiare. Krerët e futbollit e përkrahën programin tim, por nuk arritën të krijonin kushte për realizimin e tij. Nuk mund të pritet një apo dy vjet për një grumbullim të ekipit kombëtar. Për ndeshjen miqësore me Malmon kemi shpenzuar shumë fonde në mënyrë të panevojshme. Ndoshta do të ishte më mirë që ato para të shpenzoheshin në Kosovë. Hapat të cilat i kemi bërë deri më tani nuk kanë qenë të ‘goditura‘", përfundoi Rugova.