E Diel, 1 Nëntor 2026

Kueiroz i trembet Shqipërisë: 47 lojtarë, gati më 6 qershor

Shqipëria është udhëkryqi i Portugalisë drejt fazës finale të Botërorit 2010. Drejtuesi i stolit luzitan, Karlos Kueiroz, i trembet sfidës me kuqezinjtë dhe ka kërkuar të ketë në dispozicion 47 lojtarë për duelin e 6 qershorit në "Qemal Stafa". Padyshim që ish-krahu i djathtë i Aleks Ferguson te Mançester Junajtid nuk e ka harruar barazimin 0-0 në Bragë, i cili ka kompromentuar shanset e Kristiano Ronaldo & Co. për të luajtur në evenimentin në Afrikën e Jugut. Edhe pse Shqipëria nuk ka më asnjë objektiv në Grupin 1 eliminator, Kueiroz është treguar shumë i kujdesshëm, duke përfshirë në listën e madhe futbollistët më në formë. Ajo që bie në sy është rikthimi i "gardianit" të Benfikës, Kuim. Nuk kanë munguar "përjashtimet" e lojtarëve të njohur: përveç Rui Patricio, Orlando Sa, Pedro Mendes e Manuel Fernandes, jashtë ekipit mbetën edhe Nuno Gomes e Manike. Vendimi për këtë të fundit mund të lidhet me faktin se javën e kaluar, mesfushorit i përfundoi kontrata me Atletikon e Madridit dhe Kueiroz nuk dëshiron të rrezikojë duke e grumbulluar.

Gjithsesi, është për t‘u theksuar se në listën e publikuar dje nga Federata Portugeze e Futbollit (FPF) ka emra që kanë pak shanse të përfshihen në grupin përfundimtar. Për të bërë zgjedhje sa më të mira, Kueiroz do të vazhdojë me sistemin e "zboreve". 23 prej 47 futbollistëve që bëjnë pjesë në listën e madhe do të jenë të pranishëm në stërvitjen treditore (27 deri më 29 maj). Përveç futbollistëve që janë paraqitur mirë në kampionatin portugez, spikatin Luis Boa Morte i Uest Hemit, Loan Pele i Portsmuthit, Helder Postiga i Sportingut të Lisbonës dhe Pepe i Realit të Madridit. Për mbrojtësin "merengues" ky është testi i së vërtetës, pasi ai nuk luan prej shumë javësh në La Liga për shkak pezullimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›