E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrentët, projekte për zonën e tyre

04/12/2004  Juristët, ekonomistët, sociologët dhe njerëzit e mediave do të jenë më të preferuarit e Partisë Demokratike në përzgjedhjet e kandidaturave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005. Ndërkohë, prioritet do t'u jepet kandidaturave që do të paraqesin projekte konkrete për zonën ku do të konkurrojnë. Burime në PD shprehen se "ka nisur puna në qendër dhe në degët e rretheve për identifikimin e personave, të cilët mendohen si më të denjë për t'iu paraqitur Kryesisë, e cila përzgjedh në bazë të vlerave, kontributit dhe impaktit që ka secili prej konkurrentëve". Të njëjta burime shprehen se kandidaturat do të kalojnë nëpër sitën e grupit të punës të ngritur për këtë qëllim. Partia Demokratike tashmë ka filluar dhe identifikimin e grupimeve në qytetet e vendit. Duket se kriteret e përzgjedhjes, të cilat këtë herë duket se do të jenë ndryshe nga herët e kaluara. Këtë radhë mësohet se për çdo zonë elektorale, nga degët do të paraqiten më shumë se dy kandidatura për t'u përzgjedhur. Partia Demokratike ka vendosur që t'i japë prioritet personave të ardhur nga shoqëria civile. Afrimi i juristëve, ekonomistëve, sociologëve dhe gazetarëve, vjen dhe si shkak i nevojës për të paraqitur ligjëvënës të aftë.

Projekti

Në tavolinën e grupit të punës, të ngritur për vlerësimin e figurave, që do të kandidojnë për zgjedhje nën siglën e Partisë Demokratike, kandidatët përkatës duhet të kenë dhe një projekt–raport, i cili duhet të shpjegojë me saktësi problemet në zonat përkatëse elektorale dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre. Ky projekt do të shërbejë si test për të gjithë kandidatët, i cili tregon dhe për njohjen që ka konkurrenti për zonën e tij elektorale, por dhe për vizionin që ka ky i fundit në zgjidhjen e problemeve të atyre që do të votojnë. Natyrisht që raporti do të jetë dhe një tregues për impaktin social të kandidatit dhe për epërsinë e tij ndaj kundërshtarit politik në zonën ku ai do të votohet.

Votimi në Kryesi

Në bazë të statutit të Partisë Demokratike, aktivi i degës propozon të paktën dy kandidatura për çdo zonë elektorale, të cilat më pas i paraqiten Këshillit Kombëtar, dhe ky i fundit ia parqet Kryesisë së Partisë, e cila vendos për emrin e kandidatit në bazë të votimit emër për emër. Sipas të njëjtit burim, degët e rretheve kanë filluar tashmë me përzgjedhjen e kandidaturave me qëllim që ato të jenë në tavolinën e Kryesisë para datës 22 mars, datë në të cilën mbaron dhe faza e parë e këtij procesi, për të vazhduar më pas me prezantimet e programeve të secilit kandidat në bazë. Sipas burimeve pranë partisë më të madhe të opozitës, konkurrenca këtë vit pritet të jetë më e madhe se vitet e kaluara. Vetëm për 11 zonat e Tiranës mësohet se pritet të paraqiten 44 kandidatura, pra 4 kandidatë për çdo zonë elektorale. Kjo e shton dhe më shumë vlerën e pikëve në plotësimin e kritereve të përcaktuara më parë. Do të jenë pikërisht CV-të dhe projektet për zonën që do të kenë vlerën më të madhe në votimin në Kryesinë e demokratëve.

Kriteret prioritare

1) Profesioni: juristë ose avokat, ekonomist, sociolog, njerëz të medias dhe akademikë

2) Të ketë pasur miratimin me shumicë votash në aktivin e degës

3) Të ketë mbështetje nga zgjedhësit, në zonën që pritet të kandidojë

4) Të paraqesë programin dhe alternativat për zgjidhjen e problemeve në zonën e elektorale përkatëse

5) Të jetë i njohur në fushën ku punon për kontributin e tij në shoqëri

6) Të ketë domosdoshmërisht arsimin e lartë si dhe njohuri në angazhimet e PD-së

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›