E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Akreditimi i laboratoreve, hap pozitiv për sigurinë e ushqimeve

TIRANE- Një prej instituteve më të rëndësishme për sigurinë e konsumatorëve dhe kafshëve në vendin tonë, ka arritur që brenda një kohe të shkurtër të marrë akreditime të rëndësishme ndërkombëtare, duke plotësuar standardet e Bashkimit Evropian.

Me investime të buxhetit të shtetit dhe donatorëve, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) ka arritur që të akreditohet dhe të realizojë me sukses analiza të ndryshme.

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, gjatë një vizite të premten në këtë institut , tha se "ky është një ndër të institucionet që ka arritur të kalojë sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian. Investimet afatgjatë të realizuara nga buxheti i shtetit, kanë bërë që ky institut, të jetë institucioni më superior në të gjithë zinxhirin e institucioneve që garantojnë sigurinë ushqimore të konsumatorit, konform standarteve të BE-së".

Tani ISUV-ja, tha ministri Ruli, është një institucion i besimit, ku çertifikata, vërtetimi që lëshon ky institucion, e bën të besueshëm sigurinë e produktit tonë dhe në tregjet e huaja.

Me mbështetjen teknike dhe financiare nga qeveria shqiptare, italiane dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është arritur që të modernizohen tërësisht laboratorët, sistemi kompjuterik i analizave dhe të trajnohet stafi i ISUV.

Florian Paspali, drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, duke vlerësuar ISUV në Tiranë si qendrën kombëtare të referencës laboratorike, që është e fokusuar në fushën veterinare dhe ushqimore, theksoi se "tani pas akreditimit të gjashtë testeve ndërkombëtare synojmë të punojmë për ngritjen e kapaciteteve për provën e metaleve të rënda, pesticideve dhe molusqeve".

Ai theksoi se e gjithë puna dhe modernizimi i bërë në vitet e fundit përkthehet në më shumë siguri për konsumatorët e produkte më të shëndetshme.

Në ISUV janë të punësur 99 punonjës të specializuar dhe certifikuar në analiza dhe testime të ndryshme. Nga 31 laboratorë qendrore që ndodhen në këtë institut, ku kryhen dhjetëra analiza dhe teste, 6 prej tyre kanë akreditim ndërkombëtar dhe pjesa tjetër janë në proces akreditimi.

Gjatë tre viteve të fundit, me një fond prej 2 milionë euro, të dhënë nga Qeveria Italiane dhe zbatuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ISUV ka arritur që të ngrejë strukturën legale, të modernizojë dhe ngrejë kapacitetet shkencore dhe modernizojë tërësisht laboratorët.

ISUV është akredituar në 6 teste laboratorike: Salmonella spp., Escherichia coli, Paralytic Shellfish Poisoning (PSP), Diarrheic Shellfish Poisoning DSP), Amnesic Shellfish Poisoning (ASP) dhe Bio-toxins. Akreditimet janë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian (BE) të shprehura në ISO 17025:2005.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›