E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Bllokimin e karburantit D2 na e kërkon legjislacioni i BE

>Ministri Ruli: "Naftën e Ballshit nuk e ndalojmë sepse ky vepri do të linte 6500 punëtorë pa punë"

Bllokimin e naftës D2 që vjen nga importi na e kërkon legjislacioni i BE- kështu ka deklaruar dje Ministri Ruli, në reagim të deklaratave kritike për këtë çështje. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës z. Genc Ruli u ka shpjeguar sot gazetarëve arsyet e vendimit që ka marrë qeveria për lejimin e tregtimit gjatë vitit 2009 të asaj që njihet si nafta D2 e prodhuar në vend nga ARMO.sh.a
Qëllimi i masave të ndërmarra nga Qeveria në sektorin dhe tregun e hidrokarbureve gjatë viteve 2007 2008, ka qenë përafrimi i legjislacionit dhe kuadrit rregullator të përdorimit të hidrokarbureve në respekt të normave mjedisore të zbatuara nga vendet e BE-së dhe ato që janë në proces integrimi. Ato bazohen në legjislacionin tonë për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e konkurrencës së lirë në tregun hidrokarbur, më konkretisht të gazoilit D2, - ka thënë minsitri Ruli duke sqaruar se nga 1 janari 2009 është ndaluar  përdorimi për automjete dhe gjeneratorë, i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 1012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Por,  përjashtimisht, për vitin 2009 lejohet të përdoret vetëm gazoili D2 që nxirret nga nafta e vendit dhe rafinohet në Shqipëri ka thënë Ruli në konferencë- dhe kjo bëhet për arsye se nafta shqiptare me përmbajtje të lartë squfuri nuk ka treg jashtë vendit, ka teknologji përpunimi të dobët dhe rafinohet vetëm në Shqipëri. Ta bllokoje përdorimin e saj nga 1 janari, do të thotë të bllokoje të gjithë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, që sot punëson 6500 punëtorë. Por me investimet e duhura teknologjike (të pakryera deri më sot) dhe që janë parashikuar në kontratën e shitjes së ARMO-s, brenda një viti ajo mund të përpunohet për të nxjerrë nënprodukte brenda standardeve të pranueshme mjedisore. Dhe një vit që është koha e lënë për të kryer këto investime, gjykoj që është një kohë e mjaftueshme, madje mendoj se do të realizohet edhe më parë.
Ministri Ruli i ka sqaruar gjithashtu gazetarët edhe për ndikimin e masave të marra në tregun hidrokarbur në mbrojtje të mjedisit. Sipas tij, konsumi mesatar vjetor i produkteve të naftës është 420 mijë tonë në vit, 340 mijë ton janë nga importi dhe vetëm 80 mijë tonë prodhohen në vend. Nga nafta e importuar, vetëm 120 mijë tonë kanë qenë naftë D1 dhe pjesa tjetër, naftë D2, me elementë ndotës. Vendimi i qeverisë për të nxjerrë nga tregu naftën D2, (me përjashtim të asaj të rafinuar nga ARMO) sjell si rezultat që në vitin 2009 e zbresim përdorimin e naftës D2 në vetëm 80 mijë tonë, çka sjell një impakt të madh në mjedis.
Ministri Genc Ruli ka folur në konferencën e sotme të shtypit edhe për mbrojtjen e konsumatorëve në treg dhe eliminimin e monopoleve: Eshtë normale të krijohet shqetësimi që me një prodhues të vetëm potencialisht të mund të  krijohet situatë monopol në treg, por me masat e marra nga Qeveria dhe Autoriteti i Konkurrencës, do të shmangen këto pasoja. Projektligji që po përgatitet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, parashikon se si ARMO, prodhuesi i vetëm i D2 në vitin 2009, do të kufizohet për të shmangur pozicionin dominues në treg. Pra 80 mijë ton naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet ti shesë vetë, por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Çmimi i shumicës do të orientohet nga kostoja dhe niveli u çmimit të D2 në tregun rajonal.
Në çdo rast, sipas ministrit Ruli, sasia prej rreth 80 mijë ton D2 e ARMO-s përbën vetëm 19 përqind të gazoilit të konsumuar në vend në një vit. Gjithashtu, ndryshe nga një vit më parë kur nafta e ARMO-s dhe nafta e importuar kishin akciza të ndryshme, vendimi për aplikimin e një akcize të njëjtë në tregun hidrokarbur, garanton barazi në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›