E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, fermerët krijojnë këshillin rajonal të agrobiznesit

/>Përfaqësues të shoqatave të fermerëve që kanë aktivitet në Qarkun e Vlorës, krijuan dje në këtë qytet Këshillin Rajonal të Agrobiznesit. Në takimin e mbajtur me këtë rast, përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme të fermerëve të qarkut diskutuan rreth përparësive që do të sjellë përfshirja në strukturat e Agrobiznesit Shqiptar dhe roli që do të luajë ai në nxitjen dhe pjesëmarrjen e fermerëve në projekte, por gjithashtu dhe në kapërcimin e vështirësive që dalin gjatë konsolidimit të veprimtarisë së tyre. Enver Ferizaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar bëri një pasqyrë të veprimtarisë së kësaj organizate dhe  përmendi një sërë marrëveshjesh me qeverinë që kanë ndikuar drejtpërdrejt në lehtësimin dhe krijimin e kushteve të favorshme për nxitjen e fermerëve dhe komunitetit të biznesit në fushën e bujqësisë. Në bashkëpunim me qeverinë, ne arritëm të ndryshonim dhe të përshtatnim skemën e subvencionimit të bujqësisë dhe blegtorisë përmes aplikimit të granteve, një formë me efekt në mbështetje të fermerëve, tha Ferizaj. Sipas tij, pjesë e punës së Këshillit të Agrobiznesit ishte dhe kompensimi nga qeveria i akcizës së karburanteve me 17-23 lekë/litër, rimbursimi i fermerëve me 6 për qind të vlerës së blerjeve dhe shitjeve, etj. Ai shtoi se pjesë e projekteve të ardhshme të bashkëpunimit me qeverinë, është dhe mundësia e heqjes së TVSH-së në importimin e imputeve bujqësore (farnat, plehrat kimike, insekticidet etj.), që do të ndikojë në uljen e çmimeve dhe mbështetjen e fermerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›