Shalsi: BERZH-i ka miratuar kredinë

Bashkia e Tiranës vazhdon të luftojë për projektin e Unazës së Madhe. Ky autoritet ka publikuar studimin voluminoz që një firmë e huaj e kontraktuar nga BERZH-i, i ka bërë analizës financiare të bashkisë. Sipas këtij studimi Bashkia e Tiranës ka mundësitë për të marrë kredinë 20-të milionëshe, por edhe një shumë më të madhe se kjo. Eduard Shalsi nënkryetar i Bashkisë, ka sqaruar se paraprakisht BERZH-i e ka miratuar këtë kredi. Duke këmbëngulur në aftësitë e bashkisë për të realizuar një projekt kaq madhor të urbanistikës së kryeqytetit, Shalsi i ka bërë edhe një herë apel qeverisë të vijojë me shpronësimin e objekteve. Një ditë më parë Ministri i Transporteve Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi i është drejtuar Bashkisë së Tiranës me një letër,ky zyrtarisht kërkon që t'i dorëzohet projekti për ndërtimin e unazës së madhe. Kjo kërkesë shprehet me pretendimin se pushteti vendor e ka të pamundur të zbatojë këtë projekt.