Sarkozy, në Tiranë, me ftesë të Berishës
Presidenti francez po skedulon datën e ardhjes
Statusi, Berisha: Sarkozy më ftoi për mbështetjen
Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, shumë shpejt do të vizitojë Tiranën. Ftesa i është bërë nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë takimit në Pallatin Elize. I sapokthyer nga vizita në Francë, z. Berisha informoi mbrëmë për mediat për vizitën me Presidentin Sarkozy, ministrin e Jashtëm Kouchner dhe konferencën e organizuar për nder të tij nga biznesi francez. Kryeministri i Shqipërisë mori garancinë e Presidentit Sarkozy se në Tiranë do të vijë i shoqëruar nga një delegacion i madh biznesmenësh francezë, ndërkohë që stafi i tij po skedulon datën e ardhjes në Tiranë. Z. Berisha pohoi se ishte ftuar nga Sarkozy në Pallatin Elize për t’i shprehur mbështetjen e plotë të Francës për integrimin në Bashkimin Evropian, aplikimin për vendin kandidat, duke e inkurajuar se ky proces është i pashmangshëm. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi si shumë të rëndësishme dhe jashtëzakonisht të frytshme vizitën e tij në Francë me ftesë të Presidentit Nicolas Sarkozy. Sipas tij, ishte një vizitë e shkurtër, por po aq intensive, e frytshme dhe miqësore. Ai dha detaje për takimin e veçantë me z. Sarkozy. “Ishte një vizitë e suksesshme”, - tha Kryeministri, ndërsa vuri në dukje se Presidenti Sarkozy e garantoi se “Franca dhe ai personalisht mbështesin plotësisht Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se ky proces është i pakthyeshëm”. Duke folur për çështjet që u diskutuan në takimin me Presidentin e Francës, z. Berisha tha: “Diskutuam për integrimin në Bashkimin Evropian, reformat e thella të qeverisë për të merituar këtë integrim, bashkëpunimin bilateral, para së gjithash në fushën ekonomike, por edhe atë kulturore. Për sa i përket datës së aplikimit të Shqipërisë për vendin kandidat në BE, Berisha pohoi se ajo do t’u njoftohet sot mediave dhe përmes tyre mbarë shqiptarëve.
“Nesër (sot) do të njoftoj për datën e aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Sigurisht që unë nuk do të shkoj të aplikoj pa ju njoftuar ju dhe nëpërmjet jush qytetarët shqiptarë. Kjo është normale, një standard dhe detyrim, sikundër do të ketë një akt të rëndësishëm në këtë mes”, - tha Kryeministri. Gjatë vizitës që zhvilloi një ditë më parë në Paris, Kryeministri Berisha mori mbështetjen e autoriteteve të larta të shtetit francez për integrimin e Shqipërisë në BE. Në takimin që pati me Presidentin Sarkozy, ky i fundit u shpreh se "Shqipëria, në mënyrë të qartë do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE dhe Franca e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE". Kryeministri shqiptar para mediave foli edhe për takimin mjaft të rëndësishëm me ministrin e Jashtëm francez, Bernard Kouchner me të cilin e lidh një miqësi e vjetër prej 18 vitesh. Pas mbështetjes për liberalizimin e vizave të shqiptarëve, Berisha bëri të ditur se i ka kërkuar ministrit Kouchner që të inkurajojë biznesin francez që të vijë dhe të investojë në Shqipëri. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se në këtë vizitë zhvilloi takime edhe me përfaqësues të biznesit francez, të cilët kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Shqipëri.
Berisha, Ramës: “Helikopterët”, si “vjedhja” e orës së Bushit
Kryeministri Sali Berisha përgënjeshtroi dje trillimet e një prej mediave të përditshme, sipas së cilës, vizita e tij në Francë është bërë në këmbim të tenderit të helikopterëve për një ofertë franceze. Berisha e hodhi poshtë këtë abuzim të paprecedentë, duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarin e PS-së, Edi Rama, për sajesën e radhës. Kryeministri Berisha i kujtoi Ramës trillimin me “vjedhjen” e orës së ish-Presidentit amerikan, George W. Bush, dy vjet më parë. Dhe kjo, për faktin, sipas Berishës, vetëm se Bush nuk i shkoi në zyrën bashkiake për ta takuar. Berisha bëri të qartë se ai po përdor median, duke i paraqitur sukseset e qeverisë si një dështim të saj. Kryeministri bëri të qartë faktin se kishte kohë që mendonte për ardhjen e Presidentit francez në Tiranë, por meqenëse axhenda e tij ishte shumë e ngarkuar në këtë periudhë, ai ftoi Kryeministrin shqiptar në Pallatin Elize.
Berisha, opozitës: Bisedime, por jo karta falas
Kryeministri Sali Berisha ftoi dje opozitën për bisedime për çështjen e kartave të identitetit, por për variante që janë jashtë dhënies së tyre falas. Berisha konfirmoi se ka pasur takime me ambasadorin amerikan në Tiranë, Johon Withers, për çështjen e letërnjoftimeve, duke siguruar se qeveria është e gatshme të ulet me opozitën për çdo lloj varianti që ai paraqet. Por sipas Berishës, jo falas. Kryeministri njoftoi se dje kanë aplikuar 17 mijë e 400 qytetarë për kartën e identitetit dhe se procesi po ecën normalisht. “Ne presim të dëgjojmë variantet e opozitës. Ajo të paraqesë çdo variant përmes ekspertëve të saj, por duke përjashtuar çdo mundësi për dhënien e kartave falas”, - tha Kryeministri Sali Berisha.
“Rama është “non-stop” në krizë”
“Procesi i aplikimit të kartave të identitetit nuk është në krizë. “Non-stop në krizë është vetëm Edi Rama”. Kështu iu kundërpërgjigj dje Kryeministri Sali Berisha përpjekjeve të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për ta dështuar procesin e aplikimit të kartave të identitetit. “Procesi i aplikimit për kartat e identitetit nuk është në krizë, por ai që është në krizë është Rama. Kjo krizë ekziston vetëm në mendjen e tij. Ai është non-stop në krizë. Është ai që nga 8 lejet e ndërtimit, 18 prej tyre ia jep miqve, sepse nuk është njeri normal. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në asnjë regjim në botë. Por ai është në krizë dhe nuk shpëton dot prej saj”, - tha z. Berisha.