E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë

12/03/2009  Ndryshojnë rregullat për licencimin e bankave dhe degëve të bankave të huaja

Ndryshojnë rregullat për procesin e riorganizimit të bankës, sa i përket ndarjes apo bashkimit. Kjo është një nga risitë që parashikohen në rregulloren e re të miratuar dje nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kjo mënyrë e re është bërë e domosdoshme pas miratimit të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe rregullorja bën përshtatjen e këtij procesi për bankat që veprojnë në Shqipëri. Më konkretisht rregullorja, sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, përcakton format e ndryshme të riorganizimit të një banke, si dhe kërkesat e dokumentacionin e nevojshëm për t’u paraqitur në Bankën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës për miratim, për secilin rast në veçanti. “Po kështu, rregullorja parashikon kërkesa të reja lidhur me dokumentacionin kryesisht në përshtatje të kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, “Për banka në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të cilat paraqiten si të dhëna që vërtetojnë natyrën dhe burimet financiare të mjaftueshme për fillimin dhe vazhdimësinë e biznesit, komisioni i vlefshmërisë së licencës sipas kërkesës së ligjit për bankat, trajtimi i miratimit të veprimtarisë shtesë dhe rasteve të miratimeve të tjera paraprake sipas kërkesave të ligjit për bankat, rastet e detyrimeve për njoftim sipas ligjit për bankat, kërkesa të tjera që lidhen me biznesplanin duke e synuar këtë si një dokument efektiv për zbatim, të shoqëruar me argumentet e aplikantit për krijimin e bankës, strategjinë për të arritur suksesin, marrjen në konsideratë të kufijve të treguesve prudencialë sipas kërkesave të ligjit për bankat dhe akteve të tjera normative”, - theksuan burimet zyrtare. Gjithashtu, rregullorja “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë” është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, si dhe duke konsideruar eksperiencat e vendeve të tjera.

Hyrja në fuqi

Burimet zyrtare të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se rregullorja hyn në fuqi 15 ditë pasi të botohet në Fletoren Zyrtare. Rregullat e reja, pasi të hyjë në fuqi kjo rregullore e re do të shfuqizojnë rregulloren e mëparshme “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi disa materiale të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të këtij institucioni. Në vendin tonë aktualisht kryejnë funksionin e tyre 16 banka, të cilat janë të licencuara nga autoriteti mbikëqyrës. Nga këto pjesa më e madhe e tyre janë degë të bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në shtete të tjera, si Gjermani, Greqi, Itali.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›