E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Thaçi: Shqiptarët një komb i përbashkët europian

Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në Kosovë, në vizitën e tij të parë që pas shpalljes së pavarësisë.
Pas takimit kokë më kokë me kryeministrin Hashim Thaçi, në konferecnën e përbashkët për shtyp të dy liderët afirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes tyre dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre në të ardhmen europiane. Thaçi garantoi se nisja e punimeve për ndërtimin e autostradës historike Morinë-Prizren Prishtinë është çështje ditësh.
Thaçi “Sot prita në Kosovë, arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri. Ndërlidhsin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kontribuesin e pavarësisë së Kosovës. Realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve, autostradës Durrës-Morinë. Por kam kënaqësinë t’ju informoj se edhe ne po numërojmë ditët për realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Morinë-Prishtinë. Që sot përqafimin e ngrohtë të Kalimashit do ta kemi edhe në Morinë për vazhdimin e autostradës në drejtim të Morinës, Prizrenit, Prishtinës.”
Kryeministri Berisha në fjalën e tij përgëzoi arritjet e Kosovës, në 20 muaj që nga shpallja e pavarësisë.
Berisha “Ajo çka më impresionon është se si luftëtarët e lirisë, po ndërtojnë me përkushtimin më të madh vlerat për të cilat ata luftuan. Në 20 muaj në Kosovë po vendosen standartet më të gjera të respektimit të pakicave dhe jam i bindur se ky është një kontribut i madh i Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon.”
Duke theksuar se kombi shqiptar edhe në historinë e tij, ka kaluar shumë situata të pamerituara, Berisha nënvizoi se objektivi i të gjitha vendeve të rajonit është kapja e orës europiane. Ai përmendi marrëdhëniet e mira me Malin e Zi dhe Maqedoninë dhe ftoi Serbinë të bashkëpunojë sepse sipas tij:
Berisha “Fobia nuk i shërben askujt. Në histori kemi kaluar shumë gjëra të pamerituara, por kompleksiteti i saj na ka çliruar nga komplekset. E gjithë lufta është që të kapim orën europiane. E kemi patur probleme të mëdha në të shkuarën, tani jemi të lirë të ndërtojmë të ardhmen ndaj dhe kjo ndërtohet në kuadrin e një bashkëpunimi të ngushtë dhe të gjithanshëm me miqtë tanë në rajon. Nuk mund të mohote se në disa aspekte në rajon ora eshte mbrapa. Rradhet ne kufinj jane jashte kohe ndaj qeveritë duhet të gjejnë forma lehtësuese për këtë fluks. Këtë e kam diskutuar me kolegët. Ka mirëkuptim të gjerë. Do të nënshkruajmë një seri marrëveshjesh të reja, partneritet vëllazëror për të gjithë rajoninn.”
Një prej hapave është përdorimi i Portit të Shëngjinit që sipas Berishës është dalja në det për Kosovën. Kryeministri sqaroi se së shpejti do të nisin projektet për ndërtimin e linjave hekurudhore jo vetëm me Maqedoninë por dhe me Kosovën. Po ashtu Berisha premtoi se do të përfundojë rruga Qafë-Morinë-Shkodër, për lidhje të vazhdueshme me pjesën perëndimore të Kosovës.
I pyetur mbi çështjen e bashkimit kombëtar dhe të ardhmes Europiane të dy vendeve Berisha dhe Thaçi gargantuan se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme por një komb i pandarë në shpirt dhe identitet
Berisha “Kombi është një i pandarë në shpirt dhe identitet. Nuk ke dëgjuar për 2 kombe shqiptare, serbe kroate apo të tjera. Është në detyrën dhe domosdoshmërinë e qeverisë shqiptare dhe Kosovës të bashkëpunojmë për kapërcimin e pasojave të këtyre ndarjeve. Ishte një lajm shumë i gëzueshëm për mua dhe gjithë shqiptarët vendimi i qeverisë së Kosovës për të ndërtuar autostradën Prishtinë-Vermicë. Uroj që edhe qeveria serbe të fillojë ndërtimin nga Nishi. E informova Kryeministrin se gjatë këtij mandate, ne do të ndërtojmë autostradën tjetër Qafë Morinë-Shkodër, një pjesë e mirë është e ndërtuar, por pjesën tjetër të pandërtuar që është 34 kilometra, në mënyrë që Kosova perëndimore të ketë dalje më të shpejtë në det. Porti i Shëngjinit është i gatshëm. Qeveria shqiptare do t’i japë Kosovës në dispozicion të plotë këtë port. Vitin e ardhshëm do të nisë studimi i fizibilitetit dhe projektimi i hekurudhës që do të lidhë dy vendet tona. Ne do të kompletojmë hekurudhën me Maqedoninë , por do lidhemi edhe me Kosovën. Pozicioni i saj gjeografik është shumë për transportin hekurudhor nga portet tona, të cilat bëhen çdo ditë e më të rëndësishëm. E gjithë lufta dhe përpjekjet e shqiptarëve kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë e kudo është që të kapim orën europiane. Ne kemi pasur problem të mëdha në të shkuarën, nuk kemi ndërtuar dot të ardhmen. Tani, ne jemi të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen. Kjo e ardhme ndërtohet në kuadrin e një bashkëpunimi të ngushtë e të gjithanshëm me miqtë tanë në rajon e kudo në botë.”

Thaçi” Realisht ne po kalojmë dhe po punojmë për tejkalimin e padrejtësive, të cilat kanë ndodhur. Po jetojmë në një realitet dhe po punojmë për një projekt të vlerave euroatlantike. Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Po punojmë fuqishëm për konsolidimin e demokracive në ato vende, për respektimin e angazhimeve demokratike dhe implementimin e të gjitha standardeve më të larta euroatlantike. Siç e përmendi dhe Kryeministri Berisha, vendet e rajonit, Kosovën dhe Shqipërinë, i kanë dy vende mike, dy vende të partneritetit, të bashkëpunimit, të paqes, të stabilitetit si dhe të angazhimeve integruese rajonale dhe euroatlantike. Sot Shqipëria është në NATO, shumë shpejt do të jetë edhe në BE. Le të rikthehemi për pak sekonda në histori. Ku ishte Shqipëria para pak vitesh? Ishte në një diktaturë të tmerrshme komuniste. Tani Shqipëria është e lirë prej diktaturës, është pjesë e NATO-s dhe do të ecë e sigurt drejt BE-së. Ku ishte Kosova, para disa kohësh? Duke bërë përpjekje për t’u çliruar nga komunizmi jugosllav e më pas duke luftuar për lirinë e saj. Sot Kosova është e lirë, e pavarur, po zhvillon demokracinë dhe po punon me hapa të sigurte për integrimin në NATO dhe në BE. Kështu po punojnë edhe vende të tjera të rajonit. Prandaj unë e shoh të ardhmen e rajonit dhe të dy vendeve tona si të ardhmen e vlerave evropiane, integruese dhe natyrisht të standardeve të BE-së: rajon pa kufij.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›