E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrohen studentët me mesatare gjashtë

Që në orët e para të ditës së djeshme, të gjithë kandidatët të cilët kanë dashur të regjistrohen, kanë dorëzuar në sekretarinë e universitetit të gjitha dokumentet e regjistrimit në vitin e parë të studimeve akademike 

VLORË - Pas disa javësh rezistencë, së fundi Rektorati i universitetit "I.Qemali" Vlorë dorëzohet, duke regjistruar të gjithë studentët me mesatare gjashtë, të refuzuar deri tani. Që në orët e para të ditës së djeshme, të gjithë kandidatët të cilët kanë dashur të regjistrohen, kanë dorëzuar në sekretarinë e universitetit të gjitha dokumentet e regjistrimit në vitin e parë të studimeve akademike. "Universiteti i Vlorës, ashtu si të gjitha universitetet e tjera, duhet të jetë i pavarur. Në këto kushte, me këtë cilësi studentësh, ministria duhet të miratojë patjetër disa programe që ne do të hartojmë", - theksoi mes të tjerave në një prononcim të tijin, rektori Tanush Shaskaj. Për shkak të procedurave të pranimit, sekretaria e universitetit nuk mundi që të japë numrin e saktë të studentëve të regjistruar dje, por pjesa më e madhe e atyre me mesatare 6, tashmë e morën statusin e studentit. Për rreth tre javë, studentët me mesatare 6, ndonëse ishin në listën e fituesve të shpallur në Universitetin e Vlorës, nuk u pranuan me një vendim të veçantë të Rektoratit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›