E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Revolucioni portokalli, një puç i madh”

Autori i Lajmit: Redaksia
Në seancën e djeshme plenare të Kuvendit deputetët e Partisë Demokratike janë ndalur në deklaratat e fundit të Edi Ramës përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ata kanë vijuar sulmin ndaj kryetarit socialist duke e akuzuar atë për pengim të procesit të integrimit të vendit. Në fjalën e tij, deputeti Genc Ruli intensifikoi akuzat ndaj kreut socialist Edi Rama, duke e akuzuar se ka në mendje të krijojë një lëvizje që i ngjan një revolucioni portokalli, por sipas tij, lëvizja e Ramës i ngjan një puçi të madh. “Ti dhe zgjatimet e tua po lakoni se lëvizja juaj është një revolucion portokalli, por kjo lëvizje i ngjan një puçi të madh”,- u shpreh Ruli. Ai ka theksuar se Rama po i bën keq jo vetëm politikës së Partisë Socialiste, por edhe interesave politike të të gjithë shqiptarëve. “Kjo është kauza e të gjithëve. Rama po i bën dëm jo vetëm politikës së Partisë Demokratike, por edhe interesave të Partisë Socialiste, po u bën dëm interesave politike të të gjithë shqiptarëve”, - u shpreh Ruli. Sipas tij, Rama duhet të dalë nga politika, sepse po pengon interesat e shqiptarëve. “Rama i është qasur politikës kur politika ishte e kalkulueshme në mundësitë e mëdha që të ofronte, por sot ai nuk po bën gjë tjetër veçse po dëmton shqiptarët”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›