E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Anëtarët e kupolës mafioze, pas hekurave”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kuvendi ka miratuar dje ligjin për antimafian, i cili është kontestuar shumë nga opozita, por dhe nga grupe të ndryshme të interesit. Kryeministri Sali Berisha, duke folur në Parlament për miratimin e këtij ligji, është shprehur se ky është një nga ligjet më me rëndësi që po miratohet pas moratoriumit të skafeve. Berisha ka akuzuar edhe një herë Edi Ramën se i ka shprehur solidaritet kupolës së mafias. Berisha i ka kujtuar liderit opozitar se “koha kur ti mbaje peng procesin zgjedhor, duke dhënë leje ndërtimi për klanin mafioz ka marrë fund. Ligji do të veprojë me të gjithë forcën e tij, pa asnjë ngjyrë partiake dhe politike”. Replikat në distancë me Ramën, Berisha i ka lidhur përsëri me ligjin antimafia. “Rama, mos ki merak, se ashtu siç vendosa pas hekurave Aldo Baren, Lul Berishën, ashtu do të bëj edhe me kupolën, qofshin me imunitet, qofshin pa imunitet”. Sipas Berishës, miratimi i këtij ligji përbën rëndësi jetike për të ardhmen evropiane të shqiptarëve. “Një nga ligjet më themelore më të rëndësishme për sigurinë e jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, miratohet një nga ligjet më të rëndësishëm pas moratoriumit të skafeve, një ligj për të ardhmen evropiane të shqiptarëve dhe Shqipërisë”, - u shpreh Berisha. Me miratimin e këtij ligji, sipas tij, dëshmohet vullnet i hekurt për tu përballur me krimin e organizuar. “Ky ligj dëshmon para evropianëve vullnet të hekurt të sovranit, për tu përballur dhëmbë për dhëmbë me tolerancë zero ndaj krimit dhe mafias”, - ka theksuar Berisha. Sipas Berishës, ligji që miratohet është produkt i një pune të madhe dhe i bashkëpunimeve me ndërkombëtarët. “Ligji është produkt i një pune jashtëzakonisht serioze i juristëve tanë më të mirë dhe i agjencive të huaja që ndihmojnë Shqipërinë”, - tha ai, ndërsa shtoi se këto veprime janë marrë për të trembur mafian dhe krimin e organizuar. “Nuk ngurrojmë të marrim çdo veprim për të luftuar krimin e organizuar, nga ky ligj do të trembet vetëm mafia, duhet të tronditet vetëm mafia. Ky ligj garanton çdo biznes shqiptar nga kthetrat dhe tentakulat e mafias” , - ka pohuar më tej ai, ndërsa kujtoi se “Qeveria ka bllokuar trafiqet, çmontoi bandat më të rrezikshme të Evropës, vuri përpara drejtësisë me mijëra shkelës të ligjit”. Akuzat e Berishës vazhduan për Tom Doshin se i ka vënë revolen pas veshit një deputeti të PS. “Opozita dhe deputetët e saj janë të nderuar po jo ata që i vënë koburen pas veshit deputetëve, ata janë mafia, dhe me ta përballja është jetike në këtë vend”, - u shpreh Berisha me tone të larta. Fjalën e tij e mbylli duke thënë se “ky ligj është kusht që shqiptarët të lëvizin të lirë”.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›