Ruli: Shkodra e Korça më shumë përmbytje, gati për evakuim

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli deklaron se Shkodra dhe Korça janë qytetet më të përmbytura ndaj kërkoi vëmendje të veçantë për këto zona dhe apeloi për evakuim në raste emergjence.
Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civilie Ruli pohoi se në Shkodër janë përmbytur 3600 hektarë tokë, ndërsa në Korçë 3000. "Në Shkodër janë përmbytur 3600 hektare tokë, veçanërisht në komunat Ana e Malit, Dajç, Bushat, Velipojë. Ndërsa në
Korçë për shkak të prurjes së lumit Devollit dhe çarjes së argjinaturës është përmbytur 3000 hektarë tokë në zonën e ish-Kënetës", theksoi ai. Ministri tha se situata është tepër e rëndë, por jo e pa menaxhueshme. "Ndaj është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjitha strukturave. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar Shkodrës, për shkak se ky qytet sapo ka dalë nga një përmbytje", argumentoi ai. Ruli theksoi se situata e prurjeve në lumin Drin është e paparashikueshme. Megjithatë ai nënvizoi se në rast përmbytje ushtria do jetë në dispozicion për evakuim.