E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Të bësh biznes në Shqipëri e vështirë, por shumë fitimprurës

• Të bësh biznes në Shqipëri vërtet mund të jetë e vështirë, por ama fitimet janë më të larta se në çdo vend tjetër.Deklarata është dhënë nga kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë forumit ekonomik që u organizua dje nga ambasada greke, ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit vendas, si edhe ata grekë që operojnë në vend. Në fakt të dhënat tregojnë se numri i sipërmarrjeve greke që kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Shqipëri është mjaft i lartë. Biznesi grek është i pranishëm në sektorët më kryesorë të ekonomisë si telekomunikacion, banka, etj. Në deklaratën e tij ambasadori grek në Shqipëri, Konstandinos Kokosis, nuk la pa përmendur edhe problemet që hasin sipërmarrësit helenë, por që gjithsesi biznesi po përpiqet që t’i kapërcejë këto pengesa. Sipas tij, këto probleme mund të kapërcehen sepse tashmë është ndërtuar rrjeti i besueshmërisë me tregtarët. Ndërkohë ministri Ruli theksoi edhe interesin e madh që kanë treguar kompanitë greke në ndërtimin e burimeve energjetike, si HEC. Një tjetër sektor që ka ngjallur interesin e biznesit grek është edhe ai i minierave. Por Ruli ka vënë në dukje edhe pikat e dobëta të biznesit vendas, siç është niveli i konkurrueshmërisë. “Duhet ta pranojmë që biznesi jonë ende nuk e ka dinamikën e konkurrueshmërisë që do të thotë të mund të konkurrojë me produktet e tij në tregjet evropiane. Kjo është e kuptueshme për vetë fazën në të cilën jemi, por koha jo gjithmonë të fal dhe mendoj se jemi pikërisht në momentin në të cilin biznesi jonë duhet të pësojë këtë hov cilësor për të qenë i konkurrueshëm jo më brenda vetes, por në tregjet e vendeve fqinje”, theksoi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›