E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minarolli: Ja si më rrahën me grushte në ambasadë

• Vili Minarolli, ambasadori i Shqipërisë në Athinë tregoi dje, në Gjykatën e Tiranës, ngjarjen e 5 korrikut të këtij viti kur pretendon se është qëlluar me grushte nga konsulli Faik Dishnica.Fatos Mahmutaj Ndryshe nga kjo, i akuzuari për ngjarjen, pohoi se ishte ambasadori që e kishte qëlluar atë me shpullë. Gjithçka pritet të sqarohet gjatë procesit që sapo ka nisur, ndërsa dje veç Minarollit u pyetën edhe dëshmitarët e tjerë të ngjarjes, të cilët në ndryshim nga Ambasadori, pohuan se Dishnica e kishte qëlluar me dorë të mbledhur dhe jo me grusht. Dëshmitari i parë i procesit ishte vetë i dëmtuari, Vili Minarolli, dëshminë e të cilit e botojmë të plotë siç është paraqitur dje në gjykatë.Prokurori Adnan Xhelili: Dëshmitar mund të na shpjegoni si ndodhi ngjarja në Ambasadën tonë në Athinë, ku ju pretendoni se jeni goditur nga Faik Dishnica?Vili Minarolli: Faik Dishnicën e pezullova nga puna më 26 janar të këtij viti, pasi e kapa në flagrancë duke falsifikuar prokurat e shqiptarëve në zyrën konsullore. Që nga ajo ditë i thashë, se nuk mund të punoja me të dhe se nuk e quaj diplomat. Për këtë njoftova Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Oficeri i Ministrisë së Brendshme në Ambasadë, Andi Lika, ua përcolli eprorëve këtë. Për 5 muaj me radhë Dishnica vazhdonte të paguhej dhe të përfitonte të gjitha beneficet, ndërsa unë s’kisha kontakte me të. Në fund të korrikut hyri pa leje në zyrën time dhe më paraqiti një letër ku kërkonte lejen e zakonshme. I thashë s’ke punë me mua, se nuk je punonjësi im. Lejen ta japin ata që të paguajnë pesë muaj pa bërë asnjë punë. Prezent ishte edhe sekretari i dytë i ambasadës Klevis Bitri. I hapa derën të dilte, por ai u ngrit dhe më goditi me grusht në pjesën e majtë të fytyrës. Nga rrëmuja e shkaktuar mbërritën thuajse e gjithë ambasada në zyrën time, duke nxjerrë jashtë Dishnicën. Ai filloi të shante dhe të ulërinte. Arsyeja e kësaj ishte denoncimi që i kisha bërë në prokurori dhe pas hetimit ai kishte dalë i pafajshëm. I kisha thënë titullarit në Ministrinë e Jashtme se me hajdutët dhe falsifikatorët nuk punoj. Sa të jem unë nën këtë çati, ky nuk punon. Pas goditjes njoftova ministrin dhe i thashë që ky të mos hynte në Ambasadë. Më pas mora mjekim ambulator pas të cilit u përmirësova. Prokurori: A keni kamera sigurie në zyra që mund ta kenë regjistruar ngjarjen?Minarolli: Këto janë shpifje, në zyrën time nuk ka asnjë kamera. Kamera ka vetëm në ambientet publike.Avokati Agim Dishnica: Si jepen lejet?Minarolli: Lejet i jap unë. Po këtij i thashë që s’ta jap unë lejen.Avokati: Kush e pezulloi klientin tim?Minarolli: Pezullimin e bëra unë. Urdhri i ministrit s’ka ardhur akoma.Avokati: Kur ju qëlloi klienti im, kush ishte në zyrë?Minarolli: Klevis Bitri.Avokati: Thatë që Dishnica ju qëlloi, si ishin sharjet?Minarolli: Nuk i mbaj mend sharjet dhe çfarë lloji ishin. Mendo moshën time të më shajnë.Avokati: Përshkruani momentin kur ju qëlloi.Minarolli: I hapa derën dhe i thashë të dilte, ai më qëlloi.Avokati: Kush erdhi në zyrë pas grindjes?Minarolli: Pasi më qëlloi aty erdhi gjithë ambasada. Atasheu ushtarak Ilir Prifti, shefi i sigurimit Arben Çorri, mirëmbajtësi Agim Shehu, Kastriot Ahmetaj, etj. Atasheu ushtarak më tha se do njoftonte Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë,(Dishnicën) e mora unë në punë në ambasadë, ma orientuan nga ministria. Që muajin e parë të punës e pashë që abuzonte. E këshillova të hiqte dorë. I thashë ministrit ta hiqte nga konsullorja dhe e kaluam të merrej me ekonomi. Kur unë nuk isha në zyrë, ky shkon në zyrën konsullore dhe bënte prokura false. Avokati: Keni pasur herë tjetër probleme me Dishnicën?Minarolli: Në një mbledhje më ngriti zërin se i dogji, ngaqë përmenda në përgjithësi rastin e tij. Avokati: A ka ardhur ndonjëherë “Auditi” në ambasadë dhe cili është konkluzioni?Minarolli: Në ambasadë erdhi “Auditi”, po raporti nuk na është dhënë. Kjo ka lidhje me shokët e këtij, (duke treguar nga i akuzuari), le të bëjnë çfarë të duan se pasojat e abuzimeve të këtij po i vuajnë emigrantët. Faik Dishnica: Sqaroj se pezullimi është bërë më 26 shkurt dhe jo janar dhe grindja ka ndodhur më 5 korrik dhe jo në fund të korrikut. A të kam dorëzuar një kërkesë për leje më datë 4 korrik?Minarolli: S’e mbaj mend. Më parë kisha dërguar në ministri listën e lejeve vjetore dhe emri i këtij nuk ishte. Dishnica: A ishit atë ditë jashtë ambasade? Minarolli: S’e mbaj mend. Dishnica: A ishte bashkëshortja juaj dëshmitare në ngjarje?Minarolli: S’e mbaj mend.Dishnica: Kam hyrë në zyrën tuaj ndonjëherë pa leje?Minarolli: Jo.Dishnica: Në raportimet tuaja në ministri ke pasur qëllim denigrimin tim?Minarolli: Jo, atë që kam bërë për ty, nuk e kam bërë as për tim bir. Emigrantët po vuajnë pasojat e falsifikimeve tua. Ti je falsifikator. Proteston Avokati: Zoti gjykatës të lutem ndaloje dëshmitarin të mos ofendojë.Gjykatësi Omari: Dëshmitar mos dil nga dëshmia.Dishnica: Më keni qëlluar me shpullë?Minarolli: Jo.Gjykatësi: Dëshmitar je i lirë të dalësh ose të rrish. Dishnica: Jo zoti kryetar, ky duhet të qëndrojë këtu të ballafaqohet.Gjykatësi: Dëshmitari mbaroi punë, mund të rrijë apo të ikë. (Minarolli përshëndet dhe largohet). Bitri“Ndodhesha në zyrën e ambasadorit kur hyri Faik Dishnica. Minarolli i tha të dilte, por ai nuk dëgjoi dhe të dy po debatonin me tone të larta. Dishnica i thoshte Minarollit, “Mashtrues, falsifikator, i korruptuar. Mua ma ka pushuar çështjen Prokuroria”. Ambasadori i hapi derën dhe i tha të dilte ky e qëlloi. Unë ndërhyra për t’i ndarë dhe kapa për mesi dhe e nxora jashtë, por ai më bërtiti edhe mua”. Ngjarja Incidenti në ambasadën tonë në Athinë u përcoll me bujë në media, ndërsa pak ditë më vonë prokuroria nisi çështjen penale ndaj konsullit të akuzuar Faik Dishnica. Një muaj më parë dosja u dërgua në gjykatë me akuzën “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa dje nisi shqyrtimi i saj. Në këtë proces pritet të pyeten dhjetëra dëshmitarë të Prokurorisë dhe tre të mbrojtjes. Seanca tjetër pritet të jetë pas një jave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›