E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike, shiten 100 kuponë në Tiranë



Prej 21 marsit në sportelet e Postës Shqiptare ka nisur shitja e kuponëve për qytetarët e kryeqytetit për pajisjen e tyre me pasaporta biometrike. Nga ana e saj, kompania ka marrë të gjitha masat e duhura që procesi të ecë në rrugën e duhur, duke u pajisur me sasinë e nevojshme të kuponëve dhe gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur radhë në sportele. Deri sot janë shitur 100 kuponë dhe duhet theksuar se procesi i shitjes së tyre është vetëm në Tiranë. Procesi i aplikimit për pasaportë biometrike është i njëjtë me procesin e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, thjesht qytetarët duhet të blejnë pranë zyrave postare kuponin për pasaportën biometrike. Ndërkohë, shtetasit shqiptarë vazhdojnë të trokasin në sportelet e Postës Shqiptare për të tërhequr kuponin dhe më pas për të aplikuar në zyrat e minibashkive, bashkive dhe komunave për marrjen e kartës së identitetit. Të gjitha zyrat postare në Tiranë janë të gatshme që të pajisen shtetasit me kuponë, aq sa të jenë kërkesat e tyre. Deri me tani sasia e kuponëve për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike, të shitur, ka kapur shifrën mbi 360 mijë. Drejtues të Postës Shqiptare komunikojnë sistematikisht me firmën “Aleat” dhe nga të dyja palët furnizimi i sporteleve me kuponë konsiderohet si një çështje e zgjidhur. Ndërkohë, grupet e patronazhit të krijuar nga Posta Shqiptare për të mbikëqyrur procesin e shitjes së mandatave të arkëtimit (kuponëve) në mënyrë sistematike mbledhin informacion për numrin e shitjeve ditore. Duhet theksuar fakti që prej më shumë se 2 muajsh, kur procesi nisi në kryeqytet, Posta Shqiptare ka qenë në gatishmëri për të garantuar me siguri të plotë mbarëvajtjen e procesit. Vazhdohet të punohet me dy turne, nga e hëna në të shtunë, në zyrat postare të Tiranës, sikurse dhe në rrethe nga ora 07:30 deri në 19:30 të mbrëmjes, kurse të dielën nga ora 08:00 deri në 15:00.

Kundërshtarët e Muçës: Betejë ligjore për Komunitetin Mysliman

Grupi nismëtar kundër mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman deklaroi dje se do të vazhdojë betejën ligjore për shpalljen si të paligjshme të vendimeve të marra. “Ne do të vijojmë betejën ligjore, duke vazhduar të kërkojmë plotësimin e standardeve demokratike dhe në përputhje me ligjet shqiptare në këtë forum. Ne shpresojmë se vendimi i gjykatës do të mundë të jetë në përputhje me ligjin, me frymën demokratike, duke i dhënë vendin e duhur shqetësimit tonë, i cili kërkon vetëm zbatimin e rregullave mbi të cilat është ndërtuar ky forum”, – deklaroi dje në emër të grupit nismëtar, z. Ilir Hoxholli.

Ai shprehu indinjatën mbi veprimet e kreut të Komunitetit Mysliman dhe mungesën e argumenteve të tij. “Nuk mundemi të mos ndiejmë keqardhje për faktin se edhe disa ditë pas mbledhjes, Selim Muça ka vijuar të veprojë kundër qëndrimit të tij publik pas rizgjedhjes nga të punësuarit e tij, se do të kërkonte dialog mes myslimanëve”, – deklaroi Hoxholli.

Sipas tij, Selim Muça nuk ka shfaqur asnjë vullnet për të marrë në konsideratë argumentet për thyerjen e rregullave të brendshme të forumit. Gjithsesi, grupi nismëtar deklaroi se kjo betejë nuk ka të bëjë me Selim Muçën, por me ligjin dhe opinionin publik. “Ne dëshirojmë që Komuniteti Mysliman të kthehet në një institucion që të kontribuojë për vendin, për shoqërinë. Por, jemi të bindur se me njerëz që nuk respektojnë mendimin ndryshe dhe që thyejnë rregullat, ky institucion e ka të pamundur të fitojë këtë status”, – tha Hoxholli, duke i bërë thirrje gjykatës të shqyrtojë me drejtësi këtë çështje dhe opinionit publik që të mbështesë këtë lëvizje.

Bashkia

Libra për shkollën “Aleks Buda”

Bashkia e Tiranës ka dhuruar të mërkurën një numër librash të autorëve shqiptarë dhe të huaj për nxënësit e shkollës së mesme “Aleks Buda” në kryeqytet. Librat u dhuruan për këtë shkollë në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës ''Dhuro një libër''. ''Unë besoj se një shkollë pa bibliotekë është një organizëm pa një gjymtyrë shumë të rëndësishme dhe duke i pajisur të gjitha shkollat me këtë gjymtyrë, ne i ndihmojmë të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit që të ecin më shpejt”, - tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në ceremoninë e organizuar me këtë rast. Nisma e Bashkisë së Tiranës në shkollën "Aleks Buda" është mbështetur dhe nga banka 'Raiffeisen'.

Bursa

Kurse trajnimi në Indi

Qeveria indiane ofron kurse trajnimi afatshkurtra dhe afatgjata në Indi për të gjithë punonjësit në shtet apo privat në Shqipëri. Kandidatët duhet të kenë përvojë pune më shumë se 5 vjet, njohuri të mira në anglisht, aftësi shëndetësore dhe moshë ndërmjet 25-35 vjeç. Ministria e Arsimit bëri dje të ditur se bursat jepen në kuadrin e “Programit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Teknik” dhe se shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit mbulohen nga organizatorët e kurseve. “Formulari i aplikimit, i cili duhet të plotësohet sipas modelit të dhënë dhe detaje mbi këtë projekt mund të gjenden në faqen zyrtare të ambasadës dhe sitin http://itec.nic.in, duhet të dërgohet përmes postës elektronike, në adresë: office@embassyofIndia.ro. Kërkesat për këtë lloj aplikimi mund t’i adresohen znj. Sunita Naran, sekretare e dytë pranë ambasadës indiane në Bukuresht. Nr. i saj i telefonit është 0040 21 2109330”, – bëri të ditur ministria.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›