E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i depozitave, kompensohen 25 mijë euro



Paratë e shqiptarëve të depozituara në bankat e nivelit të dytë do të jenë të siguruara në çdo lloj situate që mund të kalojë sistemi bankar në Shqipëri. Një projektligj i ri i cili parashikon ndryshime në ligjin aktual rrit nivelin e depozitave që sigurohen, pra që shteti i kthen depozituesit paratë deri në një vlerë 25 mijë euro, në rast se falimenton banka ku ka futur kursimet e tij. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për sigurimin e depozitave". Ky projektligj i miratuar pak ditë më parë në qeveri, sipas Kryeministrit shërben për të garantuar paratë e shqiptarëve në banka, por nga ana tjetër do të shërbejë për të thithur kursimet e emigrantëve, duke iu siguruar atyre deri në 100% paratë e tyre. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, p/ligji synon kompensimin e plotë të depozitave deri në 25 mijë euro, ose shumën e barabartë në monedhën e huaj, në rast falimentimi të bankës. Në projektin e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë theksohet se "agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 mijë euro. Kompensimi i depozitave fillon menjëherë pasi agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës". Ndërkohë, janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur. Sipas ekspertëve, me këtë vendim garantohen rreth 80 për qind të totalit të depozitave në vend, ndërsa p/ligji synon të tërheqë në Shqipëri edhe kursimet e emigrantëve. Në ligjin aktual, shuma e garantuar e depozitave është 700 mijë lekë. Rritja e shumës deri në 25 mijë euro e rrit pragun. Por ndryshe nga p/ligji i miratuar nga qeveria ku Agjencia e Sigurimet të Depozitave garanton si depozitat e bankave të nivelit të dytë, ashtu edhe ato të shoqërive të kursim-kreditit, disa nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë nuk kanë pranuar të kalojë neni për shoqëritë e kursim-kreditit. Në mbështetje të këtij neni, ku edhe kursimet e shoqërive të kursim-kredit duhej të garantoheshin ka qenë deputeti demokrat, Bujar Leskaj, si dhe deputeti opozitar, Arben Malaj. Ata kanë kërkuar që edhe shoqëritë e kursim-kreditit të përfshihen në ndryshimet e ligjit për nivelin e depozitave të siguruara, ndërsa përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë e kanë kundërshtuar këtë. Sipas të dhënave të BSH-së, vlera e depozitave arrin në rreth 6 miliardë dollarë, ku ajo e shoqërive të kursim-kreditit zë një nivel të papërfillshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›