E Hënë, 2 Nëntor 2026

PRONA PRIVATE, PRONA E TJETRIT DHE PRONA E SHTETIT



Partitë kryesore të opozitës organizuan këtë javë mitingje proteste në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Debati i post-protestës u përqendrua tek “e drejta morale e politike” për të përfituar elektoralisht nga një fatkeqësi e tillë. Sa mendoni se është e legjitimuar apo e justifikuar opozita në protestën e saj për “Gërdecin”?

Pyetje e mirë, por tema më duket e pështirë ose, më mirë, një temë ndaj të cilës është punuar sistematikisht për ta zhvlerësuar e pështirosur deri në pikën ku është katandisur tani, kur në vend të fajtorit mund të ndëshkohet... prokurori.

ǒtë them? Më vjen turp kur shikoj që mbi të njëjtën listë të vdekurish, sfilojnë sot e vallëzojnë disa parti në varg. Partitë e majta duken aq të zëna me sfilatën e tyre, saqë as po vënë re se si vargut sfilonjës të forcave akuzonjëse i është bashkangjitur dalëngadalë edhe vetë grupimi i akuzuar. Më saktë, pushteti i saj fajtor dhe përfitues. Aq fort janë zënë të gjithë me detajet e sfilatës.

Përfaqësues të shoqatave të pronarëve janë deklaruar të zhgënjyer nga dy partitë kryesore të mazhorancës, PD e PR, duke kërcënuar me votë në prag të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh raportet e qeverisë me pronën në këto 4 vite, sa mendoni se qëndron “zemërimi” i pronarëve? A mund të ndikojë prishja e raportit me këtë shtresë në rezultatin elektoral të së djathtës në zgjedhjet e qershorit? Si e shihni të majtën në raport me këtë fenomen?

Jeni shumë të sjellshëm tek e sillni sërish këtë temë nën shqyrtimin tonë. Të shtunën e shkuar ne vetëm sa e cekëm atë dhe nuk hymë dot aq thellë sa duhet, në tiparet që ka marrë sot raporti “i pronarëve” me shoqërinë e shtetin. Thamë se do të ndaleshim pak më gjatë “herës që vjen”, po si mund ta bënim këtë, nëse “herës që erdhi” ju nuk do ta përfshinit këtë në pyetjet tuaja?

***

Siç përmendëm pra, në atë “cekjen” tonë të kaluar, çështja e pronarëve dhe ish-pronarëve sot, pas 18 vitesh tranzicioni, është bërë shumë komplekse; dhe interesante. Sot kemi specie të reja e të ndryshme në botën e pronarëve. Kemi p.sh. pronarë dhe ish-pronarë, kemi pronarë të majtë apo të djathtë, pronarë të shfaqur dhe pronarë të fshehur, pronarë trashëgimie dhe pronarë... pusie. Lloje këto që kanë qenë të panjohura edhe në fjalorët e specializuar për punë pronash. Vetë ky pasurim i llojshmërisë së pronarëve tregon një hall që na ka zënë. Atë që, në vend që fusha të qartësohej dora-dorës, ajo madje është pleksur shumë më tepër. Dhe në vend që shoqërohej me “dhënie haku”, qetësim të pengjeve të vjetra dhe vendosje drejtësie, procesi i ripronësimit duket se ka prodhuar edhe më shumë padrejtësi. Më shumë pengje e lodhje, zhgënjim e maraz në zemrat e atyre që e bartën kaq gjatë ëndrrën se një ditë do të shkonte “haku tek i zoti”. Por ç’është më e keqja, ajo ka prodhuar tension shtesë, madje edhe precedentë të rrezikshëm që në të ardhmen, do ta kërcënojnë rrezikshëm vetë institucionin e pronës. Natyrisht, nuk është se kjo ngatërresë, kjo situatë hutuese e dekurajuese lidhur me pronën ka buruar vetiu dhe tërësisht “nga vetë natyra e procesit” – siç thonë shpesh politikanët hileqarë (sa për qind janë të tillë?), në përpjekjet e tyre të pareshtur për të shpërndarë vëmendjen publike jo andej nga qëndron burimi i vërtetë i ngatërresave, sepse sot vetëm pak njerëz mund të mos e dinë akoma që çështjen e pronës nuk e ngatërruan pronarët e vërtetë. Domethënë, ata që vijnë vërdallë me letra të zverdhura e cepngrëna, të ruajtura megjithatë mrekullisht mirë, me firma e vula ende pa ndonjë dëmtim serioz. Duket se kërcënimi më serioz për ato firma e vula nuk u bë dot koha. As Lufta e Dytë Botërore nuk u bëri gjë. Nuk ishin ndonjë kërcënim as kushtet e vështira të banimit e strehimit të tyre bashkë me “kartat e pronës” për pesë dekada. Madje as ankthi i fshehjes së tyre ndër vrima e sëndukë, nga tmerri prej rrëgjimit antipronë, as bartja e tyre fshehur nga njëri internim në tjetrin, nga njëri bodrum në tjetrin nuk bëri dot që “kartat” të zhduken. Sepse – siç thonë, se unë për vete nuk është se hyj në këtë grup meraklinj të pronës e kamjes – motivi për pronën qenka shtysa më e fuqishme, ca thonë edhe më e fuqishme sesa ajo për jetën. Pra, jetën njeriu e vënka më lehtë në diskutim e mund ta shesë edhe për hiçgjë, fjala vjen në një moment gjaknxehtësie. Por pronën jo. Si pronar i pronës njeriu u bëka shumë më i arsyeshëm sesa si pronar i jetës. Fusha e pronës është racionale, ndërsa fusha e jetës është e ndikuar edhe nga plot faktorë të tjerë të irracionales.

Pra, e kishim fjalën, atë që nuk e bënë dot as koha e as lufta (botërore), as persekutimet e as përndjekjet, madje as gjithë sistemi i posaçëm antipronë që regjimi i mëparshëm ngriti me kujdesin maksimal, shkon dhe e bën lëmsh keqqeverisja moderne. Për më tepër keqqeverisja e një sistemi dhe e një kohe që pretendojnë të jenë demokratike; që pretendojnë të jenë e kundërta e komunizmit; që premtuan e premtojnë “piedestal” për pronën si institucion i shoqërisë ku kemi hyrë, si dhe respekt të dorë së parë për... pronarët. Nuk ka politikan e grup politik në këta 18 vjet që të mos ketë përsëritur aty këtu në tryeza – sidomos ndërkombëtare: Ne jemi për pronën e pronarët. Po për cilën pronë e pronarë? Këtë pyetje e bëjnë me ehte djallëzisht politikanët tanë, me një nënqeshje djallëzore, por edhe me njëfarë frike se mos tjetri e nget vërtet këtë llaf më tutje. Por tjetri, fjala vjen, deputeti danez, senatori amerikan apo europarlamentarja Pak, as nuk e nget dhe as që ka kohë ta ngasë më tej këtë temë. Atyre u mjafton “trendi”. “Jeni në rrugë të mbarë, - na thonë. - Përderisa betoheni se do të respektoni deri në një të drejtat e pronës dhe pronarët, ju jeni vetvetiu njerëz që meritoni shumë. Ju me siguri do ta bëni vendin tuaj. Zoti ju bekoftë!”

***

Pastaj ata ikin, ndërsa vendi sërish nuk bëhet, sado që thuajse të gjithë liderët tanë historikë betohen ku më troç e ku më indirekt se “e kanë bërë Shqipërinë!” Kushedi, kushedi, mbase vërtet e kanë bërë. Por Shqipëria nuk e ndien.

Këtu juve me të drejtë mund t’ju vijë një si nënpyetje. Në mos juve, lexuesit xhanëm. Në mos lexuesit në përgjithësi, po së paku lexues të veçantë edhe mund ta ngrejnë atë. Mua vetë ma kanë thënë në disa raste, sidomos kur isha pjesë e politikës aktive. Mirë këta, - më thoshin (për disa kolegë të Parlamentit e qeverisë së asaj kohe), - se janë ish-pronarë e presin të marrin çifligjet e trojet, po ty pse të ha kaq meraku për ish-pronarët? Jo për ish-pronarët medoemos – shpresoja të shpjegohesha, por për pronën si institucion, në përgjithësi, për çdo pronë e çdo pronar. Për çdo ish-pronar që është shpronësuar pa shpërblim ashtu si dhe për çdo pronar që është “pronësuar” rishtas falë punës e tregut. Shoh se ky shpjegim duhet bërë akoma sot. Qëndrimi këtu është ende i paqartë. Nëse ti flet për pronën, quhesh ose “agjent” i ish-pronarëve të fantaksur, ose një i korruptuar prej tyre. Sidoqoftë, një njeri pak si... jashtë realitetit, gjë që është tërësisht gabim. Tek flasim për pronën dhe pronarët, ne kemi parasysh institucionin bazë të ekonomisë dhe të së drejtës. Nuk ka shtet të së drejtës që injoron pronën dhe përkatësinë e saj. Mirëpo këtu, na del sërish përpara nevoja e saktësimit të pyetjes: Cilën pronë duhet të respektojmë? Çdo lloj prone e pronari?

***

Përgjigja këtu nuk është standarde. Ca më pak standarde janë qëndrimet dhe veprimet përkatëse të njerëzve, përfshi edhe ata që kanë qejf të quhen pronarë. Këtu, elementet e së drejtës formale pleksen me fakte e rrethana historike, me zhvillime politike e shoqërore, me kapacitete të shtetit e mirë(keq)qeverisjen, deri edhe me natyrën njerëzore, si dhe me kriteret morale. Është me vend pra t’u themi nja dy fjalë edhe këtyre pronarëve, madje edhe ish-pronarëve. E para, kur flasim për pronën, duhet të mbajmë parasysh se ekzistojnë paralelisht dy lloje pronash: prona private, por edhe ajo publike. Tek themi se njëra është e shenjtë dhe e paprekshme, nuk mund të lejojmë që tjetra të trajtohet lirisht e prekshme dhe e dhunueshme. E dyta, tek themi se prona “është e shenjtë” atëherë kjo vlen për të gjitha pronësitë, edhe atë që quhet “prona e tjetrit”. Nuk mund të bërtasësh “unë të vras po shkele në pronën time” dhe nga ana tjetër po atë ditë të bartësh rraqet e të shtrihesh si të duash mbi pronat e tjetrit. Kujtoni pak se edhe ai “tjetri” është pronar. Dhe nëse sot, për arsye edukate, frike apo thjesht “raporti forcash” ai nuk bërtet dhe aq shumë se “do të vrasë ndonjë zaptues”, kjo nuk do të thotë se ai do të harrojë ndonjëherë zaptimin. Së paku zaptimin e papaguar. E treta, prona është një koncept dinamik. Ka pronë të shtuar e të zhvilluar nga vetë pronari me investimet e tij, por ka edhe pronë të shumëfishuar si rezultat i vendimeve që merr shoqëria. Dhe këtu mund të jemi pak më të drejtë. Një qytetari të vjetër në Tiranë vërtet mund t’i takojë të kompensohet për një parcelë të shpronësuar dikur në një zonë qendrore. Por të mos harrojmë se ajo zonë asokohe s’ishte veçse një periferi e braktisur dhe një shkretëtirë. Dhe çmimi i metrit katror sot atje nuk është rritur për shkak të ndonjë zhvillimi e investimi të pronarit vetë, por për një arsye krejt tjetër: sepse shoqëria (me shpërblimin e papaguar ndaj njerëzve punonjës) ka investuar rreth e rrotull aq shumë, sa që ka rritur pjacën e atij trualli. Atë “pjacë” pra e ka bërë djersa dhe puna e qytetarëve të papronë. A është e ndershme tani që t’u kërkosh po këtyre zhvilluesve të vërtetë të pronës tënde, të shtrëngojnë edhe një herë rripin e të paguajnë më tepër taksa e tatime të cilat të shkojnë për kompensimin tënd si ish-pronar? Dhe ky arsyetim vlen për të gjitha zonat, trojet e të cilave u bënë të rëndësishme jo thjesht nga zgjedhja e demokracisë dhe ekonomisë së tregut si sistem, por ngaqë shteti me paratë e papaguara të njerëzve apo të grumbulluara prej tyre ndërtoi rrugë, thau kënetat e bëri bonifikime, çoi kanale ujitëse e energji elektrike. Nëse ish-pronari i një parcele, dikur i një shtroje shkurresh e pellgjesh në Tërbuf a Maliq ka të drejtë të kërkojë sot kompensim të rëndë, për tokën që i ka zënë autostrada publike, po njerëzit që thanë kënetën, betonuan kanalet e urat dhe mundësuan atë taban për autostradën, a nuk kanë ndonjë të drejtë të kompensohen? A nuk do të ishte cinike t’u thuash miliona shqiptarëve, me taksat e të cilëve u bë rruga e vështirë e Bregdetit, se ata duhet të paguajnë sërish taksa të reja për kompensimin e “ish-ëve”, thjesht sepse si rezultat i rrugës së re, të shtrenjtë e moderne, trojet e Bregdetit pësuan një rritje të paimagjinueshme çmimesh. Përgjigjet këtu pra nuk janë të gjitha “të bardha” e standarde si simitet.

***

Pikërisht, këtë interpretueshmëri e dyanshmëri të gjërave shfrytëzon edhe politika e sotme për livadhisjet e saj. Veçse halli i saj, së paku deri tani, nuk ka provuar të jetë instalimi e konsolidimi i institucionit të pronës dhe vetëdijes së shëndoshë publike lidhur me të. Halli i saj mbeti kryesisht përfitimi familjar e klanor prej pushtetit politik. Nuk është se kjo klasë politike nuk ka ndonjë vlerësim e “dashuri” për pronën. Përkundrazi, ajo e do dhe e synon së tepërmi atë. Por, jo si institucion. Si respekt ndaj pronës. Si një kod e si një vlerë që vendos themele morale dhe shëndosh shoqërinë. Aspak. Ajo e do pronën si posedim, si pasurim për vete me çdo kusht. Ja, unë vodha mbrëmë dy parcela në bregdet – thotë funksionari i saj. U pronësova. Pra, unë jam për pronën private. Unë, - thotë tjetri, - nuk dola vetë. Vura kunatin të drejtojë një shoqëri ekskluzive aksionere, ngritur e mundësuar me licenca të posaçme të shtetit dhe financuar nga monopoli që i kemi dhënë vetë, si dhe nga para të pista (punë e madhe!). E shikoni pra? Edhe unë vdes për pronën, kam dobësi dhe “respekt për pronën private, apo jo? Përvoja e bollshme negative në lojën me pronën i ka mësuar politikës sonë edhe një gjë. Vitet e fundit dëshmojnë se edhe shefat më të papërfolur për babëzi materiale, po atje e paskan pasur mendjen. Veçse strategjia ka qenë më e hollë. Ata nuk janë vërsulur direkt në kapjen e zaptimin e pronës materiale – siç bënë shumica e fshatarëve të zbritur kodrave përreth, por lëvizën pak ndryshe. Plan-zaptimin e tyre e nisën jo nga trualli, objekti, a magazina, por direkt nga... politika. Forcuan praninë e tyre në politikë. Ndoshta edhe e përjetësuan atë. Nga politika krijuan situata e koniunktura të caktuara për pasurim e pronësi të pamasë, në të cilat emri i liderëve tanë politikë mund të mos lexohet asnjëherë. “Metodë sinusoidale” mund ta quajmë këtë pronë-zaptim që po realizon lidershipi i sotëm politik. Fillohet butë nga politika, ngjitemi tek pasurimi me anë të saj dhe pastaj (si rezultat i pasurimit) fap, përsëri në politikë!

Ndryshe nga shumë të tjerë, përfshi edhe ish-pronarët, që i ranë më drejt e drejt, ata që ditën e parë, jo se nuk e lakmuan politikën, por menduan se në politikën shqiptare do të vinin ja pas pak, sapo të merrnin pronat e mallin. Pastaj do të formonin partitë e mëdha dhe do të shtriheshin qetë-qetë nëpër shiltetë e Parlamentit. Gabuan. Sot, klanet politike në Shqipëri jo vetëm që kanë krijuar një përvojë të gjatë në fushën e “marifetit politik”, por ata u kanë rrëmbyer të tjerëve edhe mjetin e vetëm alternativ të fuqisë politike: pronën e pasurinë. Shefat e poetikës sonë po shndërrohen shpejt e shpejt edhe në pronarët më të pasur. Përjetësimi duket thuajse i sigurt.

Asgjë s’bëjnë dot ish-pronarët për ta ndalur këtë proces. Kot edhe inati i tyre “për të reaguar me votë”, sepse të tjerë “pronarë” e të tjera vota janë gatuar ndërkohë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›