Berisha me investitorët gjermanë: Shqipëria ju mirëpret
Thithja e investitorëve të huaj vazhdon të jetë prioritet i qeverisë shqiptare, sidomos tani në kohën e një krize globale, kur vendet në zhvillim si vendi ynë shihen si mundësi të mira nga biznesi. Një vizitë në Gjermani e kreut të ekzekutivit, Sali Berisha, nuk mund të quhej mision i kryer, nëse nuk do të tentonte ngjalljen e interesit të investitorëve të këtij vendi për të ardhur në Shqipëri. Këtë mundësi e ka shfrytëzuar Kryeministri, i cili prezantoi para investitorëve gjermanë potencialet shqiptare për investim, duke u fokusuar kryesisht në fushën e turizmit dhe energjisë. Ai u prit në Essen të Gjermanisë nga një grup investitorësh të fuqishëm të kësaj zone të rëndësishme për ekonominë gjermane, ku merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të kompanive të mëdha të autotransporteve, infrastrukturës, industrisë agro-ushqimore, industrisë së përpunimit të mineraleve, industrisë metalurgjike, si dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha të organeve të medias. Berisha përmendi që në krye të herës ndihmën e dhënë ndër vite nga shteti gjerman, ndihmë që kap shifrën 860 milionë euro, më e madhe për frymë popullsie. “Shqipëria ka një bregdet rreth 400 km, pjesa më e madhe e të cilit e pashfrytëzuar, që ofron si plazhin ranor, ashtu edhe atë shkëmbor dhe po shndërrohet në një vend tërheqës për turistët. Shqipëria ka hyrë dhe do të hyjë në treg si një vend turistik me kosto të ulët, ku turistët do të gjejnë jo vetëm kushte e siguri, por edhe mikpritjen e shqiptarëve”, - u shpreh kreu i qeverisë para biznesmenëve gjermanë. Më tej, ai i ftoi ata të investonin në prodhimin e energjisë. “Një fushë tjetër që ofron mundësi të mëdha investimi është prodhimi i energjisë, ku ekzistojnë kapacitetet për ndërtimin e mbi 400 HEC-eve dhe TEC-eve të dimensioneve të ndryshme. Shqipëria ka një pasuri të madhe të burimeve hidrike dhe investimi në këtë fushë do të jetë një histori suksesi, pasi ka një interesim shumë të madh nga investitorët e huaj”, - tha ai. Si shenjë suksesi të bashkëpunimit me biznesin gjerman, Berisha përmendi rastin e kompanisë që ka kryer punimet për modernizimin e Aeroportit të Tiranës. Ai nuk harroi të shpaloste dhe një tjetër fushë me interes për investim si përpunimi i mineraleve, pasi sipas studimit të fundit të ekspertëve më të mirë botërorë, Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e tretë në botë për kromin, por është akoma më e pasur me hekur, nikel dhe bakër. Nga ana e qeverisë që drejton, ai dha garanci për lehtësirat e nevojshme fiskale dhe për sigurinë ndaj investimeve. Në këtë kontekst, Kryeministri shqiptar i bëri me dije biznesit gjerman se janë ndërmarrë hapa seriozë dhe me efikasitet në luftën kundër korrupsionit, si dhe janë goditur bandat më të forta kriminale. Me një politike të fortë antikorrupsion dhe me tolerancë zero ndaj krimit, ai thekson se ka më shumë siguri për investitorin e huaj. Për marrëdhëniet e tij me median, Berisha shprehu garancinë se mediat, si ato audio-vizive dhe ato të shkruara, kanë dhe do të kenë lirinë e plotë për të shkruar, për të shprehur dhe për të shpallur çdo gjë që ata dëshirojnë.
Investitori Hombah: Berisha, babai i historisë moderne shqiptare
Bodo Hombah, anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë Gjermane, kryetar i Grupit Mediatik WAZ, përshëndeti takimin e organizuar me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Berisha. Ai e falënderoi për këtë vizitë dhe shprehu kënaqësinë e tij që përfaqësuesit e biznesit gjerman takohen me “babanë e historisë moderne të Shqipërisë”, siç e etiketoi ai Kryeministrin shqiptar. “Historia juaj në politikë është një histori e rrallë që nuk e ndesh shpesh, veçanërisht duke pasur parasysh se çfarë ngjarjesh historike dhe zhvillimesh politike ka lënë pas historia e z. Berisha në Shqipëri. Motivi që e ka shtyrë Kryeministrin Berisha në të gjitha këto vite, pra në 18 vite demokraci në Shqipëri, ka qenë shumë i fuqishëm; ka qenë ndryshimi rrënjësor i vendit të tij”, - tha ai. E ndërkohë, biznesmeni gjerman vëren se “tani kemi të bëjmë me shndërrimin total të vendit më të izoluar të botës, nga një vend ku e vetmja valë e hapur ndaj botës ishte Radio-Tirana, në një vend që ka pasur veçanërisht në tre vitet e fundit një zhvillim shumë të vrullshëm të ekonomisë dhe modernizim të vendit, duke pasur parasysh pikën nga ku është nisur”.