Ruli vizitoi ACR-ne 1 muaj para nderit
Një muaj para se të bënte “nderet” e fundit si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli ka kryer një takim me drejtuesit më të lartë të ACR-së, në kuadër të një vizite në ambientet e Uzinës së Ferrokromit në Elbasan. Njoftimi u përcoll nga vetë kompania, kurse zyra e shtypit të ministrit nuk e pasqyroi takimin, edhe pse konsiderohej i një niveli të lartë dhe të rëndësishëm. Ministri Ruli i kishte të gjitha mundësitë për të parë nga afër kushtet e uzinës dhe nëse ishin përmbajtur planet e investimeve në kontratë. Nga njoftimi nuk bëhet i ditur nëse Ruli ka kërkuar respektim të kushteve, por mësohet se është shprehur i kënaqur me realizimin e investimeve të “ACR”-së dhe planet për të ardhmen. Një muaj më pas, më 9 korrik, Ruli firmos rishikimin e kontratës me ACR-në, duke i shtyrë afatin e investimeve dhe duke e favorizuar në pagesën e panalizimeve.