E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti Ruli demtoi interesat e shtetit

Ish-ministri i Ekonomisë: Kontrata e rishikuar, disa milionë euro dëme

Konfirmohet edhe më tej skandali i koncesionit të kromit. Ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, ka konfirmuar faktin se paraardhësi i tij, Genc Ruli, ka ndryshuar në mënyrë të paligjshme kontratën e koncesionit për minierën e Bulqizës.

Zoti Prifti zbulon se përmes asaj marrëveshjeje, Genc Ruli i ka dhënë kompanisë “ACR” (“Albanian Chrome”) imunitet të plotë për të gjitha shkeljet, duke e bërë shtetin të pafuqishëm për të ndërhyrë.
Paligjshmëria

“Mbasi kishim kuptuar se kompania “ACR” kishte detyrime shumë të mëdha të pakryera, dhashë urdhër të fillonte procedura për të hequr koncesionin. Më vonë, Ministria e Ekonomisë më bëri të ditur se ishte arritur një marrëveshje që të lidhte duart, që të ishte bërë diçka më shumë”, është shprehur Prifti.

Dritan Prifti thotë se përpara se të largohej nga detyra ka kërkuar zyrtarisht revokimin e marrëveshjes dhe shpalljen e saj si të paligjshme.

“Nuk mundet që një ministër të marrë kompetencat e Parlamentit, të një ministrie tjetër dhe as të qeverisë. Kështu që ajo marrëveshje duhet të ndryshohet menjëherë dhe kompania duhet të shlyejë borxhet”, deklaroi Prifti.

Sipas ish-kreut të Energjetikës, ndryshimi i koncesionit i ka shkaktuar një dëm prej disa milionë eurosh shtetit shqiptar dhe kjo është bërë me firmën e vetme të një ministri.

“Dëmi duhet të jetë edhe mbase disa milionë euro që kompania duhet t’i paguajë shtetit shqiptar dhe me këtë marrëveshje kompanisë i hiqet detyrimi të paguajë borxhet”, theksoi Prifti.
Shkeljet

Më 9 korrik të vitit të kaluar, dy ditë pasi kishte marrë një kërkesë zyrtare nga kompania “ACR”, ish-ministri i Energjetikës, Genc Ruli, ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare të kromit, duke falur kompaninë për mosrealizimin e investimeve, por edhe penalitetet që duhet të paguante. Marrëveshja nuk u kalua në Kuvend dhe madje as në qeveri.

Koncesioni i votuar në Kuvend detyronte qartë “ACR” që deri në fund të vitit 2010 duhet të kishte investuar të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Por programi i investimeve nuk u zbatua. Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, nuk u mjaftua me kaq, pasi në të njëjtën ditë, rrit lehtësitë për kompaninë private. Në të njëjtin dokument, Ministria e Ekonomisë jo vetëm që toleron kompaninë t’i shlyejë me këste penalitetet prej 1.6 milionë eurosh për mosrealizimin e investimeve, por e lidh shlyerjen e tyre me rimbursimin e TVSH-së (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) nga tatimet, duke marrë përsipër kompetenca të ministrit të Financave dhe Kuvendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›