E trishtuara Shnajder ne kinemane e Arkivit te Filmit
Është radha e “Trishtimit të zonjës Shnajder” për t’u shfaqur në ekranin e madh të kinemasë së të mërkurës në Arkivin e Filmit në Tiranë. Ngjarjet e filmit të regjisorit Piro Milkani, prodhim i vitit 2009, zhvillohen në Çekinë e vitit 1961 ku një grup studentësh të FAMU-së, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) xhirojnë në Ceski Shternberk një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorave ESO. Konfrontimi i jetës plot qejfe dhe vëmendja e kineastëve të rinj për fshatin çek, takimi me një kategori të tërë personazhesh (konti, shefi i policisë lokale, përgjegjësja e hotelit, drejtori i fabrikës) përbëjnë një anë të historisë. Ana tjetër përfaqëson dramën personale të studentit Lekë që vjen nga një vend totalisht i izoluar nga pjesa tjetër e Europës që është në dilemë mes përkatësisë së tij me familjen dhe veçanërisht me nënën e tij dhe magjepsjen pas stilit çek të jetës, shkujdesjes erotike dhe jetën e lirë të "rinisë së artë" çeke. Pasioni i dashurisë së djalit të ri me një grua të pjekur, e shoqja e shefit të policisë, është gjithashtu një ngjarje më vete.