E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohen amendamentet për draftin e PS-së

PD

Menjëherë pas deklaratës së drejtorit të Komisionit Europian për Ballkanit Perëndimor, mazhoranca ka dorëzuar në sekretarinë e Kuvendit amendamentet e saj për draftin e paraqitur nga opozita, në lidhje me ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Burime nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike kanë pohuar se nisma ligjore e demokratëve është dorëzuar, por nuk bëhen të ditura detajet e draftit që tashmë janë në dorën e Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Anëtarë të rëndësishëm të Komisionit të Ligjeve, deputetë të PD-së, i thanë mbrëmë “Shqip”-it nëpërmjet telefonit se “nuk ishin në dijeni të detajeve të amendamenteve”, por vetëm kanë deklaruar se shkresa është dorëzuar në orët e pasdites në sekretarinë e Kryesisë së Kuvendit. Misteri qëndron në pikën se a janë këto amendamente vazhdim i vijës politike të shpallur në dy mbledhjet e fundit, ku mazhoranca e rrëzon në thelb projektin e opozitës dhe kërkon zvogëlimin e pushtetit të komisionit hetimor, apo ka një reflektim nga ana e deputetëve të PD-së. Një burim në selinë blu bëri të ditur se ekziston edhe varianti për kërkesën për interpretim nga Komisioni i Venecias. Të hënën e ardhshme mblidhet Komisioni i Ligjeve, ku pritet të diskutojë në parim në lidhje me draftin e PS-së dhe vetëm të martën do të nisë diskutimi nen për nen. Por afati ligjor i dorëzimit të amendamenteve skadonte dje, ndaj mazhoranca ka nxituar t’i dorëzojë. Sipas të gjitha gjasave, këto amendamente mund të ndryshojnë edhe gjatë diskutimit nen për nen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›