E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjen celularin në barkun e peshkut...punon ende

 

Një biznesmen, i cili kishte humbur celularin e tij në plazh u mrekullua kur ia rikthyen, pasi e kishin gjetur në stomakun e një merluci gjigant.    Duket si një përrallë, por në fakt është një histori e vërtetë. Sipas “The Sun”, Andrew Cheatle kishte menduar se celularin e tij “Nokia” e kishte humbur përgjithmonë, pasi i kishte rënë nga xhepi, ndërsa shëtiste me varkë gjatë pushimeve të tij. Por një javë më vonë, celulari i të dashurës së tij ra dhe ishte pikërisht numri i tij i humbur në det që po i binte atij celulari. Personi që po i binte telefonit ishte peshkatari Glen Kerley, i cili po njoftonte se i kishte gjetur celularin në barkun e një merluci dhjetëra kilësh. Andrew e mori sërish aparatin e tij celular, e thau dhe vendosi kartën e vet të cilën po ashtu ia ktheu peshkatari dhe çuditërisht aparati punonte akoma. Biznesmeni 45-vjeçar tha se: “Unë po luaja me qenin tim në varkë dhe telefoni duhet të më ketë rrëshqitur nga xhepi. Unë vazhdova të telefonoj në numrin tim, por pas dy ditësh u dorëzova”. Një javë më pas ai po dilte të blinte një aparat të ri celular me të dashurën e tij kur ra zilja e celularit. “Ky është numri yt, po më telefonon mua”, i tha ajo. Andrew vazhdoi rrëfimin se “Ajo e hapi telefonin për të kuptuar se çfarë po ndodhte kur nisi të flasë me një tip, që i tha se celulari im ishte ngrënë nga një peshk dhe ai e kishte gjetur në stomakun e merlucit gjigant si dhe më tha ku të shkonim ta takonim. Unë mendova se po tallej, por personi tha se ishte me të vërtetë në stomakun e një merluci që ai e kishte kapur atë mëngjes”, tregonte Andrew, duke pranuar se nuk e kishte besuar atë por kishte shkuar ta takonte. “E besova vetëm kur pashë aparatin celular. Vinte erë peshk dhe kapakët i ishin prishur disi, por përsëri punoi, pasi e thava dhe i vendosa kartën”, tha ai. Peshkatari ishte përpjekur ta vinte në punë celularin, por nuk ia kishte dalë dot. Kështu kishte marrë kartën sim dhe e kishte vendosur në celularin tij. Glen tha se “Merlucët janë peshq shumë llupës dhe mund të hanë çdo gjë. Ato kanë kokë dhe gojë të madhe. Në barkun e tyre, pasi i kam peshkuar disa herë merlucë të tillë të mëdhenj, kam gjetur filxhanë plastikë, gurë, lugë çaji, bateri dhe kam dëgjuar që një peshkatar tjetër kishte gjetur dhëmbë fals”. Andrew tha se e di se kjo tingëllon si një përrallë, por është 100 për qind e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›