Rumi, “pija e piratëve” që përkedhel shpirtin
Atmosferë Karaibesh, plazhe të bardha e plot diell, det i kthjellët blu. Një pije, në aromat e së cilës fshihet një shpirt i thellë e ëndërrues... Ndjesi të mrekullueshme të shkaktuara nga aroma ndjellëse e pijes me ngjyra të ndryshme: kristal dhe ar, e mrekullueshme në çdo stinë e moment të ditës.
Historia
Janë të ndryshme interpretimet që jepen për të shpjeguar origjinat e fjalës “rum”, por një gjë është e sigurt: Origjina e kësaj pijeje është karaibiane. Rumi është një nga pijet që u prodhua në kohën e pushtimit të Amerikës, ku në shekullin XIV, europianët mbollën të parat plantacione të kallamit të sheqerit të sjellë nga Azia. Kolonët vunë re prodhimin e një lëngu të ëmbël si rezultat i fermentimit të shurupit të sheqerit. Distilimi i mëtejshëm i tij dha si rezulat një pije alkoolike, që u bë menjëherë e njohur: Kishte lindur Rumi, një pije për të gjitha stinët, më se i nevojshëm në përzierjet e akullta të verës dhe një përbërës i nxehtë në krijimin e atmosferave të ngrohta dimërore; pija e sensacioneve romantike e aventureske, që jo më kot është quajtur “pija e piratëve”.
Gota dhe shijimi
Cila është gota që përdoret për të shijuar Rumin? Kjo është një çështje e hapur. Nuk ekziston një gotë e mirfilltë për të shijuar këtë pije. Ajo që përjashtohet në këtë rast është gota e gjatë. Sigurisht, nuk mund të përdoret as gota e madhe, pasi pija magjike mund të shijohet në sasi të vogla. Perfekte do të ishte një gotë në formë tulipani, me bisht të shkurtër që në raste të veçanta përdoret edhe për verën. Jemi mësuar që për të shijuar një pije, të nuhasim më parë në gotë. Kjo nuk duhet bërë asnjëherë me Rumin. Ai përmban më shumë se 40 për qind alkool dhe për këtë nuk duhet të mundohemi për të nuhatur nga afër. Aroma tunduese mund të na vijë edhe duke e mbajtur gotën në një distancë të caktuar. Do të ishte më mirë të shijonim parfumin që çlirohet në ajër. Është e kotë edhe të rrotullojmë gotën, pasi pija e distiluar në kontakt me ajrin vepron me shpejtësi. Sasia që duhet të hedhim në gotë është veçse tri milimetra, kaq mjafton për të lagur gjuhën dhe aromat në gojë do të shpërthejnë.
Shishja e rumit të bardhë duhet të mbahet në 12°C, ndërsa një rum i vjetruar në 18°C – 20°C.
Llojet
Në origjinal, të gjitha llojet e rumit ishin të errët në ngjyrë dhe të papërpunuar mirë. Në shekullin e 19-të, spanjollët u zhvilluan një konkurs për të gjetur mënyrën më të mirë për përmirësimin e rumit. Procesi i gjatë rezultoi në krijimin e një cilësie shumë më të mirë, atë të rumit të pastër si kristal. Fituesit iu dha e drejta e prodhimit të atij që ne sot e njohim me emrin “Bacardi”. Sot, prodhues në botë prodhojnë lloje të ndryshme të shijshme rumi. Në shumë vende, ekzistojnë rregulla të ndryshme si për dëshmi dhe koha e nevojshme për një plakje të pijes. Edhe pse origjina e prodhimit ishin Karaibet, rumi prodhohet në Australi dhe Kanada. Megjithatë, Europa ka në traditën e saj që këtë pije ta importojë nga Karaibet, rrallë nga vendet e tjera. Emra të njohur të rumit në tregun botëror janë Malibu Rum, Bacardi Rum dhe Captain Morgan. Një tjetër lloj i mrekullueshëm “New foundland Screech”, rum i errët i importuar nga Xhamajka që në vitet 1700.
Lloje të ndryshme rumi janë:
-Rumi i errët (pije e vjetruar dhe me shije të fortë). Ka ngjyrë të errët në të zezë dhe ka një shije tërësisht të fortë tunduese, si për shembull “Meyers Dark Rum”.
-Rumi aromatik (zakonisht i pasuruar me aromë portokalli, mangoje apo qitro). Shije të tjera të rumit aromatik janë edhe mangoja, ananasi dhe banania, për shembul “Malibu Coconut”
-Rumi i florinjtë (i vjetëruar) Ky lloj rumi është më i errët në ngjyrë dhe përgjithësisht janë të vjetruar për një kohë të gjatë. Lloj i njohur i këtij rumi është “Mount Gay Eclipse”.
-Rumi i lehtë. Ai është i qartë në ngjyrë dhe në shije. Këto rume përdoren kryesisht në kokteile me të tjera pije dhe fruta, si përshembull “Bacardi Light”.
-Rumi me përqindje të lartë alkooli (75 për qind)
27 Shkurt 2010