Topi replikon me Tadiç: Larg mendësive të vjetra
“Ta lëmë pas të shkuarën, mendësitë e vjetra dhe konfliktet ndër-etnike”. Kështu i është drejtuar sot Presidenti i Republikës, Bamir Topi, homologut të tij serb, Boris Tadiç, kur ky në fjalën e tij ka akuzuar shqiptarët e Kosovës për shkatërrimin e manastireve ortodokse në Kosovë.
Topi ka ndërhyrë fill pas fjalës së Tadiç, duke deklaruar se e rëndësishme është projektimi i Ballkanit drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimit të një bashkëpunimi ekonomik të qëndrueshëm. Presidenti shqiptar në fjalën e tij në Samitin e Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, që mbahet në Greqi ka theksuar se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.
Sipas tij, axhenda e Samitit të Athinës vendos qartësisht në zemër të debatit rëndësinë e dialogut kulturor, si një element që sot për sot, merr një rëndësi kapitale e të pamohueshme për ndërtimin e zgjidhjeve afatgjata të paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe kohezionit social në mbarë Evropën Juglindore.
“Kultura dhe pasuritë e vlerat historike të rajonit tonë nuk janë ndërtuar në një ditë, apo në një vit, por janë ngritur përgjatë shekujve dhe janë pjesë e pasurisë së përbashkët e vendeve dhe popujve të rajonit tonë. Ballkani, i cili ka vuajtur, jo pak nga mendësitë e vjetra, luftrat dhe konfliktet ndër-etnike, duhet patjetër të largohet përfundimisht nga mendësitë ultra-nacionaliste dhe nga erërat e luftërave ndër-etnike dhe ndër-fetare, duke u projektuar i tëri drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimit të një bashkëpunimi ekonomik të qëndrueshëm”- iu drejtua ai presidentit serb.