Rusi, Putin zgjidhet president për herë të tretë
Vladimir Putin dhe mbështetësit e tij kanë festuar fitoren në zgjedhjet e së dielës, të cilat i dhanë atij postin e presidentit të Rusisë për herë të tretë.
Kur janë numëruar 99% e votave, burimet zyrtare të Komisionit të Zgjedhjeve shprehen se Putin, i cili deri tani mbante postin e kryeministrit, ka siguruar rreth 64 për qind të votave .
Vetë Putin u pa të prekej gjatë manifestimit festiv në Moskë dhe e konsideroi garën si një betejë të ndershme.
Por, ashtu si zgjedhjet parlamentare, edhe zgjedhjet presidenciale të së dielës janë konsideruar si jo të ndershme nga grupet e opozitës.
Ata thonë se gjatë procesit janë evidentuar shumë raste të votimit të detyruar apo hedhje të më shumë se një flete në kuti nga një votues, ndërsa fushata nuk ka qenë kompetitive.
Këto zgjedhje nuk mund të konsiderohen të ndershme dhe në përputhje me kushtetutën ruse apo standardet ndërkobëtare, thonë ata.
Për këtë, grupet opozitare ruse kanë paralajmëruar një protestë masive gjatë ditës së sotme.
“Besojmë te Putin”
Dhjetëra mijëra mbështetës të Putinit janë mbledhur në një koncert festiv në sheshin para Kremlinit.
Vetë Putin u shfaq për disa minuta para turmës së bashku me presidentin në ikje, Dimitri Medvedjev, për të falenderuar votuesit nga çdo cep i Rusisë.
Ju premtova se do fitonim dhe fituam. Ne fituam një betejë të ndershme, tha Putin para manifestuesve që mbanin në duar parullat Putin- Presdienti ynë dhe Ne besojmë te Putin. Manifestimi u mbajt nën masa të rrepta sigurie, ndërsa 6000 policë ishin sjellë nga jashtë Moskës.
Putin e mbështeti Medvedjevin për president në garën e 2008-s, duke marrë vetë postin e kryeministrit të Rusisë, pasi kushtetuta ruse e ndalonte të merrte mandatin e tretë radhazi për president. Tashmë Putin do të jetë në këtë post deri në vitin 2018. / Gazmira Ndoja