E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi: Tash për tash pa rrezik nga radioaktiviteti

Moskë, 11 gusht – Një sipërfaqe të madhe pyjore në provincën Brjansk në Rusi ka qenë e ndotur nga shpërthimi i termocentralit nuklear në çernobil të Ukrainës në vitin 1986, kur një pjesë të madhe të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të Evropës veriore e pati mbuluar reja radioaktive. Ambientalistët druajnë se grimcat radioaktive që gjenden nën sipërfaqe të tokës do të mund të ngriheshin sërish në atmosferë nga zjarret dhe pastaj me anë të erërave të barten edhe në rajone tjera.

Në rajonin rus, i cili ka pësuar dëme dhe rrezatim më të madh nga katastrofa bërthamore e para 24 vjetëve, këtë javë janë regjistruar 6 zjarre pyjore. Por, sipas pohimeve të shërbimeve kompetente ruse ato janë shuar pa vonesë. Ekspertët për rrezatim nga Moska pastaj kanë kryer kontrollin detaj të kësaj krahine, që gjendet në kufi me Bjellorusinë e Ukrainën, dhe kanë konstatuar se nuk ka nivel të shtuar të rrezatimit radioaktiv.

Zjarret në Rusi po vazhdojnë edhe më tutje me intensitet të njëjtë. Me gjithë angazhimin e madh të potencialeve njerëzore dhe teknike për shuarjen e tyre, temperaturat tropikale në Rusi, që tash e mbi një muaj qëndrojnë rreth 40 gradëve Celsius, bëjnë që të shpërthejnë zjarret e reja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›