Rusi, nuk ka prova për ulje të detyruar të avionit të Kaczynskit
Nuk ekziston asnjë e dhënë, për momentin, që pilotët e avionit me presidentin polak, Lech Kaczynski, që u rrëzua të shtunën në Rusi, të kenë qenë nën presion për të ulur aeroplanin pavarësisht kushteve jo të përshtatshme meteorologjike. Lajmi u bë i ditur për median nga prokurori i përgjithshëm polak, Andrzej Seremet.
"Deri në këto momente, nuk ka asnjë të dhënë në këtë drejtim", u shpreh Prokurori Seremet.
Kjo ishte përgjigjja e një pyetjeje të bërë nga gazetarët lidhur me mundësinë për presion nën të cilin mund të ishin ndodhur pilotët e avionit për të ulur aeroplanin, pavarësisht kushteve jo të përshtatshme meteorologjike. Ai shtoi gjithashtu se ekspertët do të ekzaminojnë materialet e regjistruara nga kutitë e zeza gjatë bisedave mes pilotëve për të zbuluar nëse ka pasur ndonjë sugjerim të drejtuar pilotëve.
Mediat polake kanë ngritur hipoteza sipas të cilave njëri prej shkaqeve të mundshme të aksidentit mund të ishte presioni i ushtruar mbi pilotët që këta të fundit të ulnin avionit me çdo kusht, kështu që delegacioni zyrtar të mbërrinte në kohë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Katinit.