E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, rihapet çështja Politkovskaya

Tre të dyshuarit për vrasjen e gazetares dhe kritikes së Kremlinit, Anna Politkovskaya, u paraqitën të mërkurën për herë të dytë para trupit gjykues në Moskë, ndërkohë që mbështetësit vunë në pikëpyetje vullnetin e autoriteteve për zgjidhjen e çështjes.
Deri më tani askush nuk është dënuar për vrasjen në vitin 2006 të Politkovskayas, e cila publikonte shkrime dhe prova që vërtetonin korrupsionin e zyrtarëve dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
Mbështetësit e saj shprehen se procesi i ri gjyqësor është një humbje kohe dhe se nevojitet një hetim i ri. Tre bashkëpunëtorët e dyshuar, të vetmit persona të akuzuar deri tani për vrasjen, u shpallën të pafajshëm në shkurt të këtij viti pasi provat, të zbuluara gjatë atij që familja e Politkovskayas e quajti një hetim dhe punë të kotë, nuk arritën të bindnin trupin gjykues.
Një gjykatë më e lartë urdhëroi një gjykatës të ri dhe një juri tjetër të shqyrtonte sërisht të njëjtat prova, por mbështetësit shprehen se kjo është një humbje kohe dhe kanë kërkuar një hetim të ri për të zbuluar ata që urdhëruan krimin. Personi i akuzuar për përdorimin e armës dhe vrasjen e Politkovskayas është ende në arrati.
"Gjyqi nuk po kontribon në zbardhjen e krimit. Kërkojmë që të fillojnë një hetim të vërtetë mbi vrasjen. Vrasësit lëvizin të lirë dhe egërsirat që planifikuan këtë krim të shëmtuar kundër një gruaje të pambrojtur nuk janë sjellë para drejtësisë", deklaroi Karina Moskalenko, avokatja e familjes së Politkovskayas, para se të niste procesi gjyqësor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›