Rusia akuzon Shqipërinë: Dërgoi armë në Gjeorgji
Rusia ka akuzuar Shqipërinë se ka ndikuar në konfliktin Rusi-Gjeorgji, duke dërguar armë tek rivali i Moskës në këtë konflikt. Deklaratën e ka bërë Zv/komandanti i Ushtrisë Ruse, gjenerali Anatoli Nogovicin, i cili tha se “Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit kanë furnizuar me armë Tbilisin”. Sipas “Corriere della sera”, Nogovicin ka cituar se vende të tjera të përfshira në listën e bashkëpunuesve me kundërshtaren e Moskës janë Maqedonia, Bullgaria, Ukraina, Hungaria, Rumania, madje edhe aleatja e saj shekullore, Serbia. Gjatë gjithë kohës së konfliktit, Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për furnizimin me armë dhe me eksperiencë ushtarake të Gjeorgjisë. Madje, rusët kanë akuzuar amerikanët se kanë zbuluar edhe baza ushtarake amerikane në territorin gjeorgjian. Deklarata u bë gjatë kohës që trupat ruse kishin kontrollin pothuajse të plotë të territorit Gjeorgjisë. Të shtunën këtë deklaratë e bëri edhe nënkomandanti i shtabit rus. Por Nogovicin nuk u ndal këtu, ai akuzoi edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe kryesisht vendet e ish-satelitit Sovjetik, ku bën pjesë edhe Shqipëria, se kanë ndërhyrë më mjete ushtarake në këtë konflikt. Deklaratat ruse i janë drejtuar të gjitha vendeve që kanë përkrahur integritetin territorial të Gjeorgjisë në konfliktin me rusët dhe kanë akuzuar Moskën për rikthim në kohën e Bashkimit Sovjetik, një deklaratë të tillë e bëri Kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili i tha Moskës se me ndërhyrjen në Gjeorgji kërkon të rikthejë kohën e Bashkimit Sovjetik, edhe ministri i Jashtëm Shqiptar, Lulzim Basha, në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s përkrahu integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe kritikoi Rusinë për qëndrimin e saj.