Statistikat, 500 mijë shqiptarë në varfëri ekstreme
Rreth 500 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri ekstreme. Me gjithë përpjekjet apo programet e ndjekura deri tani për të zbutur fenomenin pesha e tyre ka qenë gati e pandjeshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, rreth 16 % e popullsisë jeton me më pak se dy dollarë në ditë për frymë, çka nuk plotëson nevojat me minimale të tyre. Situata paraqitet alarmante në zonat rurale, ku rreth 65 % e personave nuk arrijnë të kapin minimumin jetik. Faktori kryesor që ndikon në nivelin e ulët ekonomik në të cilin jetojnë shqiptarët mbetet papunësia. Zyrtarisht në rang vendi raportohen më shumë se 140 mijë të papunë apo 13.2 % e popullsisë, por numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë. Kjo, pasi jo të gjithë personat që i përkasin kësaj kategorie regjistrohen në zyrat e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Megjithëse nga ky dikaster raportohet ulje e numrit të të papunëve, nga politikat e ndjekura situata nuk ka asnjë përmirësim të dukshëm për popullatën. Vendet e reja të punës janë të pakta në numër, ndërsa jo pak personave nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të shesin në rrugë për të mbajtur familjet e tyre. Ndërsa në zonat rurale, në pamundësi të këtij lloj vetëpunësimi, emigrimi jashtë vendit vijon të mbetet rruga e vetme e shpëtimit prej varfërisë ekstreme. Përkundër kësaj ndihmën ekonomike një ndhër masat kryesore për të ndihmuar personat e varfër e kanë përfituar padrejtësisht një numër i madh familjesh. Vetëm këtë vit 7.500 familje janë përjashtuar nga përftimi i ndihmës. Kjo, pas kontrolleve të ushtruara nga inspektorët e Shërbimit Social Shtetëror. Ata kanë konstatuar se ajo merrej padrejtësisht. Ndërkaq për të zbutur varfërinë gjatë gjysmës së parë të vitit SHSSH-ja ka realizuar menaxhimin dhe shpërndarjen e një fondi prej 1.7 miliardë lekë, nëpërmjet të cilit u trajtuan rreth 101.000 familje të varfra, nga të cilat 41.000 familje me ndihmë të plotë dhe 60.000 të tjera familje me ndihmë të pjesshme. Drejtoria e inspektimit dhe zyrat rajonale kanë ushtruar kontrolle në 209 njësi të qeverisjes vendore. Për shkeljet e konstatuara janë propozuar gjithsej 69 masa administrative.