Kryepolici: Gati aksionet e tjera antidrogë në Lazarat
GJIROKASTER - Operacioni i zhvilluar pak kohë më parë nga forcat speciale RENEA për asgjësimin e bimëve narkotike në fshatin Lazarat, nuk do të jetë i fundit për këtë sezon. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të policisë së Gjirokastrës, sipas të cilëve operacionet antikanabis në këtë qark do të vijojnë pa anashkaluar asnjë zonë, përfshi këtu edhe Lazaratin. Në një dalje përpara mediave, gjatë ditës së djeshme, drejtori i komanduar i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Ylli Metko ka përforcuar edhe njëherë vendosmërinë për ndërhyrje në çdo cep të qarkut, i cili renditet ndër më problematikët në vend, përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bën me dije, se aksionet për evidentimin dhe shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike do të vijojnë edhe ditët në vazhdim dhe do të ndërhyhet në çdo cep të qarkut, ku do të ketë informacione, përfshi këtu edhe Lazaratin”, ka deklaruar kreu i policisë së Gjirokastrës. Ai ka treguar për mediat se 13 persona, banorë të fshatit Lazarat, të cilët kanë rezultuar si kultivues të bimëve narkotike, në parcelat ku u ndërhy gjatë operacionit policor të koduar “Era e malit”, janë shpallur në kërkim. “Në lidhje me operacionin e koduar ‘Era e Malit’, të zhvilluar disa ditë më parë në komunën Lazarat, bëjmë me dije opinionin publik se kanë nisur 19 procedime penale me 13 autorë nga ky fshat”, ka deklaruar më tej Metko. Burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se gjatë muajve të fundit janë shkatërruar rreth 25 mijë rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në të gjithë qarkun. Të njëjtat burime saktësojnë se, në aksionet e ndërmarra janë evidentuar 53 raste të kultivimit të narkotikëve, ku janë proceduar penalisht 32 autorë. Për rastet e tjera po punohet për evidentimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë gjithë këtyre aksioneve bimët janë shkatërruar në vend me anë të djegies, ndërsa disa të tjera janë marrë në cilësinë e provës materiale dhe po punohet për evidentimin dhe kapjen e kultivuesve të tyre. p.n
Identifikohen autoret e të shtënave
Në daljen e djeshme para mediave, drejtori i policisë Metko ka folur edhe rreth shqetësimeve të vazhdueshme të lagjeve periferike të qytetit të Gjirokastrës dhe fshatit Dervician për të shtëna në ajër përgjatë orëve të natës. Ai ka pohuar se të gjithë autorët e këtyre të shtënave janë identifikuar e shpallur në kërkim, ndërsa nuk ka bërë të ditur emrat e tyre për ruajtje të sekretit të hetimit. “Në lidhje me shqetësimet e disa banorëve të fshatit Dervician dhe të lagjes Zinxhira të Rrethit Gjirokastër, për të shtëna të herëpashershme nga fshati Lazarat në drejtim të tyre, sqarojmë opinionin publik se si rezultat i hetimit të policisë janë grumbulluar të dhëna dhe prova ligjore për personat e përfshirë dhe së shpejti me përfundimin dhe dokumentimin e plotë ligjor e procedural, të gjithë keqbërësit do të përgjigjen para drejtësisë”, ka theksuar më tej Metko. p.n