Ndalohet shoferi, sajoi grabitjen
VLORE – Shoferi i furgoni vodhi paratë me të cilat do të blinte qumështin për fabrikën ku punonte. Pas dyshimeve se grabitja me armë në mesnatë e 500 mijë lekëve në rrugën nacionale Vlorë-Fier mund të ishte e sajuar, policia e qytetit prangosi Gentian Mihalin. Sipas policisë, 26-vjeçari ka bërë kallëzim të rremë e ka përfituar shumën e parave të firmës. Ai kallëzoi të dielën se ndërsa udhëtonte në mesnatë, në afërsi të Mifolit, dy persona me armë e maska i dolën para duke i grabitur lekët. Paratë ishin për të likuiduar për mallin e marrë pronarin e fabrikës së përpunimit të qumështit, ku ishte punësuar. Pas dyshimeve se nuk kishte asnjë shenjë të dhunës që pretendohej apo gëzhoja të lëna nga grabitësit, policia zbuloi se bëhej fjalë për një ngjarje të sajuar. Dje ajo i komunikoi Mihalit masën e ndalimit me akuzën e vjedhjes dhe kallëzimit të rremë. q.b