Ndarje etnike në shkollat e Strugës

Struga e Maqedonisë është përfshirë në një kaos dhe rrëmujë të sistemit arsimor të shkaktuar nga qeveria aktuale, e cila me vendimin e ekzekutuar nëpërmjet ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Pero Stojanovski vendosi aplikimin e ndërrimeve etnike për nxënësit shqiptarë dhe maqedonas në shkollën e mesme "Niko Nestor".Drejtoresha e shkollës "Niko Nestor", e mbështetur edhe nga ministri i arsimit, vendosi që nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas të mësojnë në turne të ndryshme. Ky vendim, që u mor pas një zënke mes disa të rinjve shqiptarë dhe maqedonas, ka ngjallur regime të mëdha si në mesin e shqiptarëve në Strugë, ashtu edhe në radhët e politikës. Deri tani, nxënësit shqiptarë dhe bashkëmoshtarët e tyre maqedonas, i zhvillonin mësimet në të njëjtën kohë, në gjuhët përkatëse. Vendimi sugjeron që nxënësit e njërit prej këtyre grupeve etnike duhet të zhvillojë mësimin paradite, ndërsa tjetri pasdite. Ky vendim është kundërshtuar nga prindërit dhe mësuesit shqiptarë të kësaj shkolle të mesme. Kundër janë shprehur edhe sindikatat, përfaqësuesit e organziatave qytetare, si dhe politikanë të njohur. Ndërkohë që nuk ka pasur asnjë koment nga partia qeverisëse, VMRO - DPMNE, nga radhët e së cilës është ministri i Arsmit, Stojanovski.Shumë vëzhgues thonë se prapa këtyre zhvillimeve qëndron vetë politika. Disa, këtë e interpretojnë me rezultatin e zgjedhjeve të pritshme lokale. Katër vjet më parë, në Strugë, për herë të parë pas më shumë se një gjysmë shekulli, fitoi një kryetar bashkie shqiptar. Disa subjekte politike thonë se me ngjarjet e fundit tentohet të nxiten zhvillime, që fitorja e kandidatit shqiptar të mos përsëritet në zgjedhjet e 22 marsit. Të tjerë thonë se zhvillimet në Strugë tregojnë realitetin në Maqedoni, ku njerëzit "më shumë jetojnë pranë njëri-tjetrit, se sa me njëri-tjetrin". Në të gjitha rastet vlerësohet se vendime të tilla për ndarje mbi baza etnike nuk i bëjnë mirë Maqedonisë, sepse japin mesazhe të gabuara. Struga konsiderohet si një qytet ku në të kaluarën e trazuar etnike në Maqedoni, nuk ka pasur përplasje mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ai është marrë si shembull i bashkëjetesës shumëetnike.