Rusia "kërcënon" NATO-n

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse tha sot se NATO nuk i ka mësuar leksionet nga ngjarjet e fundit në Kaukazin e Jugut.
Zyrtari i Ministrisë Aleksandër Lukasheviç me këtë koment reagoi ndaj deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fog Rasmusen, gjatë një vizite më 6 shtator, në Tbilisi, në të cilën ai tha se “e ardhmja e Gjeorgjisë është në NATO”.
Lukasheviç iu tha gazetarëve se “deklaratat e tilla tregojnë se NATO ende nuk i ka nxjerrë mësimet nga ngjarjet tragjike të vitit 2008 në Kaukazin Jugor" dhe vazhdon t`i dërgojë Tbilisit “sinjale inkurajuese”.
Lukasheviç tha se Moska beson se deklaratat për anëtarësimin e mundshëm të Gjeorgjisë në NATO nuk do të forcojnë sigurinë rajonale dhe nxisin udhëheqësit e Gjeorgjisë, që të mos e njohin realitetin politik të krijuar në rajon.
Pas luftës së shkurtër të vitit 2008 mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, Moska njohu rajonet separatiste gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë.