E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia konfirmon provën bërthamore të Koresë

Moskë - Rusia konfirmon provën bërthamore të kryer nga Koreja e Veriut. Një zyrtar i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, i cituar nga “Itar-Tass”, njoftoi sot se Koreja e Veriut ka kryer një provë bërthamore të nëndheshme. Prova është regjistruar nga pajisjet ruse të kontrollit. Aktualisht po punohet për analizimin e të dhënave të kësaj prove.

Fuqia e shpërthimit bërthamor është vlerësuar në 10 deri 20 kilotonë, bëjnë të ditur agjencitë ruse, të cilat citojnë Ministrinë e Mbrojtjes. Një burim brenda kësaj ministrie i bëri të ditur agjencisë “Interfax” se shpërthimi kishte qenë me të vërtetë i nëndheshëm.

Koreja e Veriut njoftoi sot se ka kryer "me sukses" provën e saj të dytë bërthamore, pas asaj të tetorit të vitit 2006, duke sfiduar presionet ndërkombëtare që ajo të heqë dorë nga programi i saj.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së e ka dënuar më 13 prill lëshimin e një raketë balistike të kryer më 5 prill nga Koreja e Veriut, dhe ka forcuar regjimin e sanksioneve të vendosura kundër saj në vitin 2006.

Si përgjigje ndaj sanksioneve ndërkombëtare, Peniani ka njoftuar tërheqjen nga bisedimet gjashtëpalëshe (Rusi, Kore e Veriut dhe Kore e Jugut, Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Kinë), ndalimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), dhe riaktivizimin e objekteve të saj bërthamore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›