E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia kundër BE-së për gazin në Ukrainë

Moskë-Rusia ka kritikuar vendimin e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Ukrainën në modernizimin e sistemit të gazit. Ministria e Jashtme ruse deklaroi sot se Rusia e konsideron "një akt jo miqësor ndaj Moskës" premtimin e Bashkimit Evropian për një vendim të tillë. Brukseli nënshkroi këtë javë një marrëveshje bashkëpunimi me Ukrainën për modernizimin e sistemit të transitivit të gazit, por Rusia, që pjesën më të madhe të gazit të saj e eksporton përmes gazsjellësve në territorin ukrainas, shprehu indinjatë lidhur me përjashtimin e saj nga bisedimet mes Brukselit dhe Kievit.

Mosmarrëveshjet lidhur me sistemin e gazsjellësve të Ukrainës kanë ngjallur sërish frikën e ripërsëritjes së një krize midis Rusisë dhe Ukrainës në janar, kur konsumatorët në shtetet anëtare të BE-së mbetën pa furnizim me gaz për afro dy javë në mesin e një dimri të ftohtë.

"Ajo që ndodhi në forumin e Brukselit ishte një akt jo miqësor i BE-së dhe Ukrainës në marrëdhëniet me Rusinë", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Andrei Nesterenko gjatë një konference shtypi. Afro 80 për qind e furnizimeve të gjigantit rus të gazit Gazprom për Evropën kalojnë përmes gazsjellësve të ndërtuar në territorin ukrainas.

Kryeministri rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar se do të rishikojë marrëdhëniet e vendit me bllokun 27-anëtarësh evropian, nëse shpërfillen interesat e Moskës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›