Rusia njeh pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev nënshkroi dekretin për njohjen formale të pavarësisë së dy rajoneve seperatiste të Gjeorgjisë, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Vendimi, i cili hasi në reagime të ashpra në Perëndim, pasoi votimet në Parlamentin e Rusisë. Medvedev tha se Rusia i ka njohur si të pavarura rajonet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji. Në një prononcim televiziv, Medvedev tha se ai kishte nënshkruar dekretin për njohjen e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë.
“Duke marrë parasysh shprehjen e vullnetit të lirë të popullit oset dhe abkhaz, nisur nga Karta e Kombeve të Bashkuara, Deklarata mbi Parimet e Ligjit Ndërkombëtar e vitit 1970, Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe dokumenteve tjera themelore ndërkombëtare, unë nënshkrova dekretin për njohjen nga ana e Federatës Ruse të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë”,- tha Medvedev.
“Rusia u bën thirrje vendeve të tjera që ta ndjekin shembullin e saj. Kjo nuk është një zgjedhje e lehtë, por është e vetmja e mundshme për t’u shpëtuar jetët njerëzve”,- deklaroi Medvedev. Ndërkohë Rusia ka pezulluar bashkëpunimin me NATO në një varg çështjesh, përfshirë shtyrjen e vizitës së sekretarit të përgjithshëm të aleancës. Ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin, tha se nuk do të ketë më manovra të përbashkëta ushtarake, dhe shtoi se Moska e sheh “të volitshme” që t’i ndëpresë të gjitha bashkëpunimet paqëruajtëse me NATO n për të paktën gjashtë muaj.
27 Gusht 2008