E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia po zhytet në racizëm

Në Rusi, migrantët gjithnjë e më shumë po shndërrohen në viktima të popullatës vendase, edhe përkundër faktit se Rusia ka nevojë për ndihmën e tyre. Në disa vende, migrantët tashmë janë shumicë Nga Express më 05 gusht 2011 në ora 09:47

Sulmuesit vijnë me automjete, në fshatin e largët Sagra, në Ural, janë së paku 60 prej tyre. Pothuajse të gjithë janë me prejardhje nga Azerbajxhani. Ata janë të armatosur me zinxhirë, thika dhe armë zjarri. Disa të mitur, të cilët kalojnë pranë tyre, qëllohen me grushte. Banorët e fshatit fshehën nëpër shtëpitë e tyre. Në fund, para tyre dalin disa meshkuj të guximshëm rusë.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë tani. “Çfarë duhej të bënim? U desh të mbrojmë fshatin tonë”, i thanë ata më vonë policisë. Fillon një rrahje masive dhe banorët e fshatit në fund arrijnë të dëbojnë sulmuesit.
Në Rusi njerëzit adhurojnë rrëfimet e këtilla për luftën heroike kundër migrantëve si këta, rrëfim ky i cili së fundi u publikua nga të gjitha gazetat ruse.
Qysh në shkollë fëmijet mësojnë se si fisnikët nga Moska kanë mbrojtur nga mongolët tokat e krishtere, se si Car Aleksandri dëboi Napoleonin dhe si dëboi Ushtria e Kuqe ushtrinë e Hitlerit. Është kjo një pjesë e të menduarit rus: Në fund ngadhënjejnë gjithmonë të mirët dhe ata jemi ne.

Por kush ishin këtu vërtetë të mirët? Deri të përleshja në Sagra erdhi, pasi që banorët dëbuan me dhunë nga fshati një azerbajxhanas. Ata theksuan se ai kinse kishte bërë tregti me drogë, por policia nuk gjeti dëshmi për këtë. Azerbajxhanas tjerë në fshat u fyen në baza racore.

Grindja përfundoi me vrasjen e një azerbajxhanasi, nga ana e “mbrojtësve të fshatit”. Ai është personi i 15, që u vra gjatë këtij viti. Vrasja e 15 me motive racore në Rusi. Griggory Ioffe, gjeograf, i cili hulumton migracionin në Rusi, thotë:”Trazirat e deritashme janë vetëm një paralajmërim për atë, që do të ndodhë më vonë”.
12 milionë imigrantë jetojnë aktualisht në Rusi, vetëm SHBA-ja ka një numër më të madh. Pjesa më e madhe prej tyre vijnë nga ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore dhe nga Kaukazi. Urrejtja kundër të huajve më së shumti është e drejtuar ndaj tyre. Me këtë rast nuk bëhen dallime mes imigrantëve të vërtetë dhe pjesëtarëve të numrit të madh të pakicave kombëtare në Rusi.

Në anketa, më shumë se gjysma e rusëve shprehen se do të kishin dëbuar nga vendi disa pakica të caktuara etnike. Fyerjet raciste janë disa nga frazat më të preferuara të rusëve.
“Në shkollë shpesh jam fyer si i huaj apo i zi”, kujton fëmijërinë e tij në Rusi armeni Artur Karapetian.
Shumë rusë besojnë se të huajt po vjedhin vendet e tyre të punës. Nëse qarkulloni nëpër rrugët e Moskës, mund të vëreni se policia kontrollon pothuajse të gjithë personat, të cilët nuk kanë pamje ruse.

OJQ-ja Sova, e cila angazhohet për të drejtat e migrantëve, përmend një rast nga viti i kaluar, i cili flet për diskriminimin e migrantëve: Një armenë, i cili u sulmuan nga disa huliganë në Moskë, tentoi të mbrohet me një shishe të thyer. Kur policia arriti në vendin e ngjarjes, ajo arrestoi armenin e sulmuar dhe lejoi largimin e huliganëve.
Ka edhe shembuj, kur edhe vetë kreu shtetëror shfrytëzon ndjenjat raciste të popullit, madje duke i nxitur ato edhe më tepër: në fillim të vitit 2009, kur Rusia po ndiente pasojat e krizës financiare, kryeministri Vladimir Putin theksoi se për krizën fajtorë janë edhe migrantët.

Radikalët e djathtë kanë formuar grupe paramilitare, bartin uniforma dhe ushtrojnë në pyjet e Moskës. “Radikalizmi i djathtë para se gjithash adhurohet nga të rinjtë”, theksoi Aleksandër Vershovski, kryesues i Sovas.

Para dy viteve, presidenti Dimitri Medvedev i shpalli luftë radikalizmit të djathtë. Neo-nazistët u arrestuan, organizatave radikale ju ndalua veprimtaria. Masat kishin sukses.
Që nga ajo kohë, aktet raciste të dhunës kanë shënuar rënie. Por sukseset janë sipërfaqësore, ngase rënia e dhunës racore, nuk nënkupton se njerëzit kanë filluar të mendojnë ndryshe.

Ky trend ka filluar të kërcënojë edhe sigurinë e brendshme të Rusisë: përkundër të gjitha masave nga qeveria, në dhjetor të vitit 2010 në Moskë u zhvillua tubimi më i madh racist në historinë e vendit. Për orë të tëra rreth 6 mijë neo-nazistë terrorizuan qendrën e qytetit dhe sulmuan të huajt.
Potenciali për tendosje me gjasë vetëm do të shtohet, për shkak të zhvillimeve demografike. Popullata ruse po shënon rënie me shpejtësi frikësuese. Qysh tani ka për 7 milionë më pak rusë, se sa në vitin 1992. Deri në vitin 2026, pritet që popullata e aftë për punë të tkurret për 17 milionë njerëz.

Ioffe vlerëson se në të njëjtën periudhë, rreth 10 milionë migrantë të ri do të hyjnë në Rusi. “Mungesa e fuqisë punëtore do t’i tërheq si magnet”, thotë Ioffe. Ekonomia e sëmurë ruse ka nevojë për migracion, por askush nuk e di se si do të reagojë popullata vendase ndaj valës së re.
Në jug të vendit, rusët tashmë janë pakicë në shumë rajone. Ioffe e ka vëzhguar Stavropolin, prej nga rusët po largohen, pasi që nuk janë më shumicë. “Shumë theksojnë haptazi se brengosen për vendin e tyre”, nënvizon Ioffe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›