Rusia pranon se po ndihmon regjimin sirian

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka pranuar se një anije mallrash, që është detyruar të kthehet prapa në Rusi, ka bartur tre helikopterë ushtarakë për regjimin sirian.
Deklarata e së enjtes është hera e parë që Rusia konfirmon se anija, e cila është kthyer prapa pasi ka hyrë në ujërat britanike, ka bartur helikopterë sulmues.
Lavrov ka thënë se anija ka bartur edhe pajisje ajrore mbrojtëse, porse nuk ka dhënë detaje të tjera.
Vetëm dy-tre ditë më parë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se SHBA-ka ka informacione se një anije ruse është në rrugë për të transportuar helikopterë për regjimin e regjimit të Bashar al Asadit. Mirëpo, ishte pikërisht Sergei Lavrov ai i cili kundërshtoi thëniet e SHBA-së, duke i quajtur ato gënjeshtra.
Qeveritë perëndimore i kanë bërë vazhdimisht thirrje Rusisë që të ndalojë bashkëpunimin ushtarak me Sirinë.