E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mafia italiane dhe piratët somalezë

Raportuesi special i Bashkimit Evropian për Somalinë ka paraqitur raportin e tij të fundit, në të cilin, mes tjerash, apostrofon punët që piratët somalezë po i bëjnë me mafian italiane. Bëhet këtu fjalë për tregtimin e mbeturinave toksike.

Me çështjen e lidhjes mes mafias italiane dhe piratëve somalezë po merret një kriminolog i njohur, që po udhëheq hetime për Kombet e Bashkuara dhe për institucionet e BE’së. Ai këtë problematikë e përshkroi edhe në librin e tij, që u botua në maj të këtij viti.

Në raportin e fundit u shfrytëzuan njohuritë e Michel Koutouzis, i cili thekson se grupet e organizuara kriminale, Camorra, 'Ndranghetta dhe La Sacra Corona Unita, po bëjnë furnizimin në tregun e zi të udhëheqësve lokalë somalezë me armatim, kryesisht nëpërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe se në këmbim të kësaj ato po fitojnë lejen për depozitimin e mbeturinave toksike atje.

“Shumë tonelata mbeturina shkarkohen për çdo vit në brigjet e Somalisë dhe Eritresë, para hundëve të zyrtarëve të lartë lokalë që mbikëqyrin tregtinë që zhvillohet në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit”, sqaron Koutouzis, sipas të cilit një pjesë e fitimit – që shkon në qindra miliona euro në vit – ‘shpëlahet’ në industrinë turistike të Kenisë dhe Tanzanisë.

Një praktikë shumëvjeçare

Kjo është një praktikë që bëhet për shumë vite, shton kriminologu. Për shembull, në raportet e OKB’së për vitin 2005 thuhet se tsunami i vitit 2004, që ndodhi në Oqeanin Indian, shkatërroi deponinë e mbeturinave që përmbante një sasi të madhe të plumbit, kadmiumit dhe zhivës, si dhe një spital, bashkë me gjithë mbeturinat kimike që ndodheshin në të. Të gjitha këto u shkatërruan dhe përfunduan në ujërat e Oqeanit Indian, afër qyteteve Hobbio dhe Benadir, dhe si pasojë vdiqën 300 persona.

Globalizimi i krimit

Raportuesi special i BE’së për Gadishullin Somalez dhe Bririn e Afrikës, (ish-diplomati grek) Alexander Rondon, thekson se libri i sapopublikuar “Krimi, Tregtia dhe Rrjetet”, i autorit Michel Koutouzis, ka tërhequr një vëmendje të madhe të opinionit.

“Informacionet që jepen në libër ua kemi dërguar personave që janë më mirë të përgatitur se unë, dhe tani po i vërtetojmë të gjitha ato”, tha Rondos të martën në Bruxelles.

“Duhet të hetohet dhe të zbulohet se kush i financon privatistët somalezë. Ata janë pjesë e një problemi shumë më të madh, me të cilin përballemi në Oqeanin Indian, e që është globalizimi i krimit të organizuar. Hetimet për këtë gjë janë duk vazhduar”, porositi Rondos.

Ulet numri i anijeve të rrëmbyera

Udhëheqësi i misionit të BE’së kundër piratëve- Atalanta, admirali britanik Duncan L. Potts, deklaroi se tashmë është iniciuar qendra rajonale për mbështetje dhe luftim të piratëve, synime të së cilës janë aktivitetet financiare të piratëve në ishujt Sejshele. Admirali Potts thekson se tash për tash nuk ka njohuri për lidhjen e piratëve dhe mafias italiane. Por, gjatë një bisede për media javën e kaluar, Koutouzis deklaroi se pala evropiane dhe personat përgjegjës në Atalanta e dinë fort mirë këtë, por nuk duan të ndërmarrin asgjë. Potts ndërkaq kundërpërgjigjet se misioni tij ka arritur që të ndalë sulmet e piratëve ndaj anijeve në brigjet lindore të Afrikës.

Në fakt, në gjysmën e parë të vitit 2011 piratët kishin rrëmbyer 28 anije, në gjysmën e dytë të atij viti vetëm tri, dhe vetëm pesë në vitin në vijim.

Shtatë anije dhe afro 200 udhëtarë dhe anëtarë ekuipazhi ende ndodhen në duar të piratëve. Disa në duart e tyre janë tash e 18 muaj, mbahen në kushte shumë të vështira dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shfrytëzimi i kompanive private të sigurimit

Këto ndryshime admirali Potts i sqaron me rritjen e angazhimit të kompanive private të sigurimit në rajon, të cilat përdorin anijet e veta, kështu që më shumë se gjysma e afro 50,000 anijeve që për çdo vit kalojnë pranë brigjeve të Afrikës lindore tashmë posedojnë roje personale dhe përcjellje të armatosur. Aktivitetet e tyre rregullohen nëpërmjet ligjeve që vlejnë në shtetin ku janë regjistruar anijet - gjë që zakonisht bëhet në Panama ose Liberi.

“Nga anijet fillimisht shtihet me armë në shenjë paralajmërimi, e pastaj shtihet edhe 4-5 herë në vende të caktuara, për të treguar se anijet janë të armatosura”, sqaron Potts.

Por, ai nuk posedonte asnjë informacion për atë sesa piratë janë vrarë gjatë konflikteve me kompanitë private të sigurimit. Potts sqaron se misioni Atalanta më tepër ka një rol policor sesa të luftimit. Sipas të dhënave që i posedon, forcat që janë nën komandën e tij nuk kanë vrarë asnjë pirat tash e tre vjet e gjysmë, prej kur edhe ka filluar i gjithë operacioni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›