E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia zhvillon nesër zgjedhjet presidenciale

Rusia zhvillon të dielën zgjedhjet presidenciale. Për këtë raund zgjedhjesh, në Rusi ka 5 kandidatë, përfshirë udhëheqësin e Partisë Kominste, Genadi Zuganov dhe biznesmenin miliarder Sergei Prokorov. Por personi që pritet t`i fitojë zgjedhjet është kryeministri aktual, ish-presidenti Vladimir Putin. Shtatorin e kaluar, Putin bëri publik faktin se do të kandidonte për postin e presidentit në zgjedhjet e 4 marsit, për t`i zënë kështu vendin presidentit actual Dmitri Medvedev, i cili pritet të zgjidhet kryeministër i qeverisë së re, post të cilin e mban tani Putin. Zgjedhjet presidenciale mbahen disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Për zgjedhjet e dhjetorit u tha se pati manipulime të mëdha me votat dhe kjo shkaktoi demonstrata të mëdha në qytetet kryesore të Rusisë. Sipas ligjit elektoral të Rusisë, në se asnjëri nga kandidatët presidencialë nuk merr më tepër se 50 për qind të votave, duhet mbajtur një raund tjetër votimesh. Në vitin 2004, Putin u rizgjodh me një shumicë dërrmuese për mandatin e tij të dytë presidencial, duke marrë 71 për qind të votave. Por tani mbështetja për të është rreth shifrës 40 për qind. Disa analistë menodjnë se nëse zgjidhet president, Putin do të duhet të merret me demonstruesit anti-qeveritarë. Shumë ekspertë thonë se do të jetë diçka interesante për t`u parë në javët dhe muajt e ardhshëm, në se protestat kundër Putinit do të vazhdojnë të përhapen, dhe në se ato do të bëhen sfida e presidencës së tij të re.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›