E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela mbështet bojkotin e PS-së: “Është rruga që rrëzon qeverinë

Ish-deputeti i PD-së: “Kërkesa për hapjen e kutive është e ligjshme dhe e drejtë”. Ngjela: “Bojkoti i PS-së, një hap përpara, të cilin e përkrah pa rezerva”

Shaban Sulçe

Një ditë pas takimit me Edi Ramën, ish-deputeti i PD-së dhe aktualisht kryetar i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj vendimit të PS-së për të bojkotuar Kuvendin, duke e cilësuar atë një hap shumë të rëndësishëm. Gjatë një interviste televizive, Ngjela ka deklaruar se bojkoti i opozitës është e vetmja rrugë që rrëzon qeverinë e re, teksa ka inkurajuar Partinë Socialiste që të rezistojë në mbajtjen e këtij vendimi. Ish-deputeti i PD-së e ka quajtur legjitime kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave. Sipas Ngjelës, kutitë duhen hapur pasi kjo është një kërkesë e 65 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Bojkoti
Ngjela ka pohuar se është përkrahës i vendimit të Partisë Socialiste për bojkotin e Kuvendit, për shkak të manipulimeve dhe deformimeve të rënda që ndodhën në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Ish-deputeti i PD-së tha se bojkoti i Partisë Socialiste është një hap i madh përpara dhe e vetmja garanci për zgjidhjen e problemeve. “E kam përkrahur bojkotin. E konsideroj një hap të madh përpara. Mendoj se është e vetmja garanci se mund të zgjidhen problemet. Opozita parlamentare, e cila ka refuzuar pjesëmarrjen në Parlament, e detyron gjendjen që të bie qeveria”, - tha Ngjela. Ai ka bërë një krahasim midis bojkotit aktual të PS-së dhe dy bojkoteve të mëparshme të Partisë Demokratike, përkatësisht në zgjedhjet e vitit 1997 dhe ato të vitit 2001. Sipas Ngjelës, bojkoti aktual i opozitës së majtë nuk mund të ngjajë me ato të opozitës së djathtë në të shkuarën. “Bojkoti i vitit 1997 ishte më shumë inerci e pasionit, se sa rezultati i zgjedhor. Rezultati i sivjetshëm i PD-së në Vlorë është shumë i ngjashëm me rezultatin që kjo parti pati në zgjedhjet e vitit 1997. Do të thotë se socialistët që paskan pasur në dorë gjithë Vlorën ia kanë numëruar votat një për një Partisë Demokratike. Përsa u përket zgjedhjeve të 2001-shit, të cilat u manipuluan nga qeveria e atëhershme, ishte një bojkot real, por ne nuk kishim forcë, sepse nuk kishim 65 deputetët. Ne morëm kusht, Berisha mori kusht në Bruksel për marrjen e presidentit dhe më pas PD-ja hyri në Parlament. Megjithatë, çështja është se nuk mund të bëhen më”, - ka deklaruar ish-deputeti i Partisë Demokratike, Spartak Ngjela.

Zgjedhjet

Ngjela, i cili konkurroi në zgjedhjet e 28 qershorit si kryetar i PLD-së në qarkun e Tiranës pa arritur dot të fitojë mandatin e deputetit, kritikoi ashpër manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor. Ai tha se zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk arritën standardet e duhura, por patën deformime të rënda. Në këtë kontekst, ish-deputeti e cilësoi mëse të ligjshme kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit. Sipas tij, kjo është një kërkesë që bëhet nga 65 deputetë të Kuvendit dhe nuk ka pengesë juridike që ta ndalojë atë. “Kutitë duhet të hapen. 65 deputetë që kërkojnë hapjen e kutive, atëherë nuk ka zot që ta ndalojë. Parlamenti shpall luftën, jo më të mos hapin kutitë. Kur këta qenkan kaq të ndershëm, t’i hapin kutitë. Nuk ka pengesë juridike përpara Parlamentit”, - tha Ngjela.

Ngjela u takua dy ditë më parë me Ramën

Spartak Ngjela dhe Edi Rama, dy ish-rivalët për postin e kreut të Bashkisë së Tiranës 6 vite më parë, duket se kanë gjetur një rrugë të re bashkëpunimi në rrethana krejt të ndryshme. Ngjela, si kryetar i Partisë Ligj për Drejtësi dhe Edi Rama, si kryetar në detyrë i Partisë Socialiste u takuan dy ditë më parë në një takim që kishte për qëllim ndarjen e mendimeve të përbashkëta për manipulimet dhe deformimet e ndodhura në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Denoncimi i këtyre manipulimeve dhe mospajtueshmëria me rezultatin ka bërë që dy rivalët e vjetër të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të nisin bashkëpunimin midis tyre. Në këtë takim ka marrë pjesë gjithashtu edhe ish-deputeti demokrat Preç Zogaj, i cili kandidoi për Partinë Ligj dhe Drejtësi në qarkun e Lezhës, por pa arritur që të sigurojë mandatin e deputetit. Rama ka ndarë me Ngjelën dhe Zogajn shqetësimin për manipulimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe arsyet se përse Partia Socialiste do të vijojë bojkotin e Kuvendit. Sipas burimeve, është diskutuar gjithashtu edhe për hapat e mëtejshëm që do të hedhë opozita e re dhe mënyrat e organizimit të saj. Një nga çështjet kryesore ka qenë edhe krijimi i Frontit Opozitar, i cili do të drejtohet nga Partia Socialiste, por në të, përveç partive të majta, do të marrin pjesë edhe partitë e djathta që gjenden në opozitë me maxhorancën aktuale.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›