E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Hyrja në Kuvend pa kushte është aventurë”



Kreu në detyrë i PS-së: “Për manipulimin e zgjedhjeve u përdorën presione mafioze”

Kandidatët Rama dhe Lakrori përballen përpara anëtarësisë socialiste në Tiranë

Kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijon t’i konfirmojë anëtarësisë socialiste vullnetin dhe qëndrimin e tij për të bojkotuar Kuvendin deri në plotësimin e kushtit kryesor që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë turit për fushatën e zgjedhjes së kreut të PS-së, Rama ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do t’i falë për asnjë moment zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk do të tërhiqet nga kërkesa për hetimin e zgjedhjeve. Ai ka theksuar se bojkoti i Kuvendit nuk është një aventurë, por një hap i rëndësishëm në kauzën për mbrojtjen e demokracisë dhe proceseve të ardhshme zgjedhore në vend. Sipas Ramës, aventurë e vërtetë do të jetë në rast se Partia Socialiste do të hyjë në Kuvend pa kushte. “Nuk është aventurë të mos hysh sot në Parlament dhe të vendosësh kushte të qarta për t’u bërë pjesë e këtij parlamenti. Aventurë është të hysh në Parlament për të shitur të drejtat e tua te kompania që tenton ta kthejë Shqipërinë në një vend që nuk ka të bëjë me interesat e njerëzve”, - deklaroi Rama.

Fushata

Katër ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Socialiste, dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, kanë vijuar përballjen e tyre përpara anëtarësisë socialiste të rrethit të Tiranës. Rama dhe Lakrori kanë shpalosur platformat e tyre duke kërkuar nga socialistët e Tiranës mbështetje për zgjedhjet e 26 shtatorit. Duke folur për garën për zgjedhjen e kryetarit të PS-së, kreu në detyrë Edi Rama tha se ajo është një zhvillim i rëndësishëm demokratik në Partinë Socialiste. “Kjo është shprehje që kjo parti është e vetmja forcë e vërtetë demokratike në Shqipëri dhe demokracia e brendshme nuk është vetëm një parullë. Jemi këtu për të vazhduar për të folur me akte konkrete, duke dëshmuar se jemi në gjendje që në këtë moment anëtarësia të shprehet përmes votës për lidershipin që kërkon ta udhëheqë dhe rrugën ku kërkon të ecë Partia Socialiste”, - theksoi Rama. Ai ka vijuar të denoncojë me forcë deformimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Ramës, në zgjedhje nuk munguan edhe presionet mafioze. “Presioni, deri edhe mafioz, që njerëzit të deklaronin votën paraprakisht, bëri që në zgjedhjet e 28 qershorit elektorati i majtë të ndihej në një situatë të pazakonshme. Qëndrimi i Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin është i palëkundur, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Moshapja e kutive të votimit është prova që ligji në Shqipëri ka rënë dhe për ta ngritur ligjin opozita duhet të reagojë me fuqinë që reagon një popull i tërë”, - vijoi Rama.

PS
Po dje, nga selia e Partisë Socialiste ka ardhur një tjetër deklaratë konfirmuese për mostërheqjen nga bojkoti në rast se maxhoranca nuk do të marrë parasysh kushtet që kanë të bëjnë me transparencën e zgjedhjeve. Deputeti i sapozgjedhur socialist, Saimir Tahiri, ironizoi dje ftesën e kryeministrit Berisha për hyrjen në Kuvend të Partisë Socialiste. Sipas Tahirit, PS-ja do të hyjë në Kuvend vetëm në momentin që do t’i garantohet hetimi i zgjedhjeve dhe hapja e kutive të votimit. “Ftesa ambulante e zotit Berisha ndaj Partisë Socialiste për të hyrë në Parlament nuk është aspak serioze dhe për më tepër është ende shumë larg kërkesave legjitime që Partia Socialiste dhe shumica dërrmuese e votuesve shqiptarë kërkojnë. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve nuk ishte dhuratë nga kryeministri Berisha, të cilit nuk u dashka as t’i kujtojmë se i zhvilloi me parregullsi të theksuara. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, ashtu si zhvillimi i çdo procesi zgjedhor, është paguar nga taksapaguesit. Kryeministri, ministrat, Parlamenti, maxhoranca dhe i gjithë sistemi, mbahet në këmbë falë taksave që paguajnë qytetarët. Mjafton edhe ky fakt për ta konsideruar transparencën e këtyre zgjedhjeve një detyrim absolut ndaj punës së ndershme të shqiptarëve, që me plot të drejtë duhet të mësojnë të vërtetën për zgjedhjet që ata vetë i kanë paguar me kursimet e tyre”, - tha Tahiri.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›