Të dy vendet të interesuara për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike

Topalli takon ambasadorin e Ukrainës për Shqipërinë, Tsybukh
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Ukrainës që mbulon Shqipërinë. Në fokus të bashkëbisedimit ishte dhënia e një impulsi të ri marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Ambasadori Tsybukh tha se politikat e Ukrainës ecin paralelisht me politikat e BE-së, dhe ne jemi të interesuar për një thellim të bashkëpunimit me Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për intensifikimin e marrëdhënieve, veçanërisht në planin ekonomik e tregtar. Ajo nënvizoi se ky bashkëpunim duhet të bëhet në rrafsh konkret, përmes shtimit të marrëveshjeve ekonomike, kontakteve ekonomike e tregtare apo vendosjes së lidhjeve direkte midis dhomave te tregtisë e industrisë.
Ambasadori i Ukrainës vlerësoi faktin që në një kohë krize globale financiare, ekonomia e Shqipërisë është në rritje. Ambasadori Tsybukh i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet nga Kryetari i parlamentit të Ukrainës bashkë me ftesën për një vizitë zyrtare të Kryetares në Ukrainë. Ai falënderoi Kryetaren e Kuvendit për faktin që ka qenë gjithnjë e hapur për bashkëpunim por mbi të gjitha që ka insistuar në vijimësi për
dinamizmin e këtij bashkëpunimi mes dy vendeve.