Rusmali për KLD-në: Janë prishur balancat, gjyqtarët në minorancë
Rusmali për KLD-në: Prej një viti, nuk funksionon sipas Kushtetutës
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali thekson se, kërkesa e bërë nga gjyqtarët për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare është e drejtë, pasi kjo parashikohet edhe në Kushtetutë. Sipas tij, kjo nuk shmang projektligjin për Konferencën Gjyqësore, që duhet të miratohet në Kuvend me votat e shumicës dhe opozitës. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Rusmali vë në dukje, se ata që kundërshtojnë vetëmbledhjen e Konferencës Gjyqësore nisen nga interesa personale, dhe jo kushtetuese.
Z. Rusmali, opozita vazhdon të bojkotojë Kuvendin. Në këto kushte, duke qenë se ju jeni kryetar i Komisionit të Ligjeve, a mund të na thoni se cilat projektligje të rëndësishme, nuk mund të kalojnë për miratim në Parlament, si rezultat i kësaj situate?
Çështjet më të rëndësishme, që ka në fokusin e vet, Komisioni i Ligjeve, por edhe Parlamenti, janë në radhë të parë, çështjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Raporti i Progresit për Shqipërinë i Komisionit Evropian, ka evidentuar në mënyrë të veçantë, problemet që Shqipëria po has me drejtësinë, me mungesën e reformës në drejtësi, me mungesën e efiçencës në rezultatet e punës, në mënyrë të veçantë për pushtetin gjyqësor, me mangësitë dhe dobësitë që ne i kemi të evidentuara, i ndiejmë, i shohim, i konstatojmë në mënyrë të vazhdueshme si në raport me punën e Prokurorisë, si në raport me punën e gjykatave. Për të përmirësuar punën, për t'iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe obligimeve ndërkombëtare, që ne kemi, një nga instrumentet kryesorë është reforma ligjore në këtë fushë. Reforma ligjore, ka një listë të gjatë ligjesh, një pjesë prej të cilave shumë të rëndësishme, një pjesë më pak të rëndësishme. Element kryesor i kësaj reforme ligjore, në raport me reformën në drejtësi, është fakti që ligjet e reja, plotësimi i kuadrit ligjor, përmirësimi i tij, reformimi i tij duhet domosdoshmërisht të bëhet me opozitën, jo vetëm për shkak të kriterit formal, që kërkojnë këto ligje, pra shumicës prej 3/5 të votave, por për shkak të rëndësisë fondamentale, që ka kjo reformë për shtetin, shoqërinë dhe demokracinë në përgjithësi. Nuk mund të bëhen reformat e mëdha pa pasur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjitha forcave, vektorëve të rëndësishëm politik të shoqërisë. Opozita si vektor i rëndësishëm politik i shoqërisë, nuk mund t'i shmanget obligimit të vet ndaj shoqërisë, për të kontribuar në këtë reformë. Në terma konkretë, ne kemi përmendur disa herë, për shembull projektligjin për gjykatat administrative, një projektligj, i cili është bërë tërësisht në bashkëpunim me opozitën, sepse opozita ka kontribuar, konkretisht, në formulimin e një numri shumë të madh të amendamenteve, të tij. Është një projektligj, në të cilin është bërë përpjekje të jashtëzakonshme kompromisi nga ana jonë. Kemi kërkuar kudo, edhe me kosto që të përfshijmë opozitën në atë projektligj, por është një projektligj që nuk e ka parë ende ditën e diellit, sepse nuk miratohet për shkak të pengesave, që sjell opozita me mospjesëmarrjen e vet në Parlament, ose me refuzimin e paargumentuar, që i ka bërë miratimit të këtij ligji. E rëndësishme është, që ne të ndërmarrim hapa konkretë, për të rishikuar tërësisht kuadrin ligjor për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ne duhet të rimarrim hapa konkretë, eventualisht, për të rishikuar kuadrin ligjor për Gjykatën e Lartë. Ne duhet të ndërmarrim hapa konkretë, për të ribërë ligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, dhe një grup tjetër ligjesh materiale, që kanë të bëjnë me substancën e çështjeve që trajtohen nga Prokuroria dhe Gjyqësori. Këto kërkojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e opozitës. Deri tani opozita e ka refuzuar këtë bashkëpunim dhe këtë pjesëmarrje.
Miratimi i ligjeve pa votat e opozitës, veçanërisht për ligje të një rëndësie të veçantë, siç është edhe ligji anti-mafia, a mund të sjellë kontestime nga opozita, për t'i dërguar ato në Gjykatën Kushtetuese?
Nuk ekziston as formalisht kjo gjë. Parlamenti, funksionon me mekanizma të tjerë. Parlamenti, nuk i nxjerr ligjet me unanimitet dhe përgjithësisht ligjet kanë edhe votat kundër. Fakti, që ligji ka vota kundër, nuk e çon automatikisht në Gjykatën Kushtetuese. Unë nuk besoj që të ngrihet pretendimi nga opozita, se ligji në fjalë ka elementë kushtetues, sepse ligji i trashëgon të gjithë elementët substancialë, që ka pasur ligji i vitit 2004. Pra, ligji i Partisë Socialiste. Vetëm i përmirëson ato, i zhvillon ato në përputhje me eksperiencën e këtyre 4-5 viteve.
A mund të vazhdojë të funksionojë Parlamenti në këtë mënyrë, kur akoma mbeten ligje pezull, veçanërisht për reformën në drejtësi ?
Parlamenti funksionon, sepse Parlamenti shpreh vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Formalisht nuk ka asnjë lloj pengese, që Parlamenti të funksionojë. Parlamenti ka kuorumin. Parlamenti ka shumicën në vendimmarrje, të cilat nuk ka shanse që t'i cenohen deri në përfundim të mandatit të vet. Parlamenti funksionon. Por Parlamenti funksionon më mirë, kur ka edhe opozitën brenda. Parlamenti funksionon më mirë, kur ka edhe oponencë ndaj ligjeve. Parlamenti funksionon kur ka debat. Ne deri më sot, jemi përpjekur që proceseve t'u japim maksimumin e debatit teknik-profesional, dhe Komisioni i Ligjeve ka qenë tribuna më e mirë për këtë gjë. Nga pikëpamja profesionale, Komisioni i Ligjeve nuk ka vuajtur në diskutimin e projektligjeve. Komisioni i Ligjeve si vetë Parlamenti, si dhe komisionet e tjera duhet që të ketë edhe opsionin e opozitës kur shqyrton ligjet. Nga çdo institucion ndërkombëtar është duke ardhur thirrja për zotin Rama që të kapërcejë vetveten, dhe të urdhërojë bashkëpunëtorët e tij, që t'i kthehen Parlamentit dhe të bëjnë obligimet e tyre për të cilat edhe janë votuar nga shqiptarët. Unë besoj që këto thirrje, kanë për të pasur efektin e tyre, dhe nuk ka për të zgjatur shumë dita që zoti Rama ta hedhë këtë hap.
Duke iu referuar debatit të fundit, mbi mbledhjen e Konferencën Gjyqësore Kombëtare, gjyqtarët kanë deklaruar se, nëse projektligji për Konferencën Gjyqësore nuk kalon në Parlament, ata do të vetëmblidhen për të zgjedhur katër anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. A është e drejtë që gjyqtarët të vetadministrohen pa kaluar projektligji në Parlament?
Ndoshta, për të dhënë përgjigje, do të duhet të parashtroj disa fakte, të cilat nuk janë çështje opinioni, por janë fakte. Së pari, Kushtetuta e Shqipërisë, kur bën fjalë për përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka sanksionuar një parim themelor për institucionin, parimin që balanca midis gjyqësorit dhe politikës, brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duhet medoemos që të anojë nga përfaqësuesit e gjyqësorit. Parimi kushtetues kërkon që 3/5 e KLD-së, të jenë përfaqësues të gjyqësorit dhe pjesa tjetër mund të jetë politike. Sot që ne flasim, Këshillit të Lartë të Drejtësisë i mungojnë katër anëtarë. Janë dy vende të deklaruara bosh, dhe janë dy mandate që janë të skaduara, të cilat kanë dalë jashtë limitit kushtetues. Limiti kushtetues, përcakton që anëtarët e zgjedhur të KLD-së, mund ta ushtrojnë funksionin e tyre, mandatin e tyre, për një periudhë pesë vjeçare. Kjo periudhë për dy anëtarë ka kaluar. Pra, dy anëtarë, marrin pjesë në mënyrë abuzive dhe antikushtetuese, në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këta anëtarë, mandatin e tyre nuk e kanë marrë në ligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare. Nuk janë zgjedhur anëtarë në bazë të atij ligji, sepse kur janë zgjedhur këta anëtarë, nuk kishte dalë ligji për Konferencën Gjyqësore. Ata janë zgjedhur në bazë të parimeve dhe procedurave të vetërregullimit, që kanë qenë në fuqi përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Janë zgjedhur në bazë të të drejtës, që i buronte trupës gjyqësore nga neni i Kushtetutës që thotë që organet, institucionet e përmendura në Kushtetutë, të drejtat e sanksionuara në Kushtetutë, ushtrohen edhe në mungesë të ligjeve specifike, edhe vetë në bazë të Kushtetutës. Mbështetur në këtë prerogativë kushtetuese, trupa gjyqësore u vetorganizua përcaktoi një rregullore, një statut të vetin, dhe përcaktoi edhe rregullat për zgjedhjen e përfaqësuesve të vet në KLD. Këta anëtarë që u ka skaduar mandati, janë zgjedhur jo me ligjin për Konferencën Gjyqësore, por janë zgjedhur në bazë të këtyre rregullave. Ligji është i shfuqizuar në tërësinë e tij nga Gjykata Kushtetuese. Ligji nuk ekziston, por dispozita kushtetuese është aty. Dispozita kushtetuese nuk lejon, që balanca në KLD të anojë ndaj politikës, në raport me gjyqësorin. Sot, për shkak të mungesës së katër anëtarëve të zgjedhur nga gjyqësori balanca anon në favor të politikës. Kjo, është e papranueshme për Kushtetutën shqiptare. Unë nuk e di, se me çfarë qetësie, individët që përkrahin idenë e ruajtjes së status -quosë, mund të përballojnë këtë fakt. Fakti që ne jemi në thyerje të një parimi themelor kushtetues, të ndërtimit të këtij pushteti të pavarur, pushtetit gjyqësor. Me çfarë qetësie, këta njerëz që përfaqësojnë idenë e ruajtjes së status - qosë, pranojnë faktin që të qeverisin nga jashtë gjyqësorin, duke i imponuar gjyqësorit mosfunksionimin e tij, mospranimin e vetrregullimit të tij. Mekanizmi për rregullimin e kësaj thyerje të Kushtetutës është evident, është rikthimi tek pozicioni që ka pasur institucioni kushtetues, Konferencën Gjyqësore, përpara se ky ligj të miratohej më 2005-ën. KLD-ja, është në fuqi sipas Kushtetutës, që nga viti 1998. Nga viti 1998 deri në vitin 2005, ka funksionuar pa ligjin e sipërcituar. Nga viti 2005 deri në vitin 2008 ka qenë në fuqi ky ligj. Nuk mund të përdoret si justifikim, fakti që kemi një debat politik, fakti që opozita nuk merr pjesë në Parlament, fakti që nuk sigurohen dot 3/5 e votave, për të penguar gjyqësorin, që të jetë i përfaqësuar sipas Kushtetutës në KLD. Të pengosh gjyqësorin të jetë përfaqësuar në KLD, do të thotë të uzurposh një pushtet, që Kushtetuta ia ka dhënë gjyqësorit. Kjo nuk është çështje e Parlamentit, mazhorancës apo opozitës, kjo është çështje e parimeve themelore të Kushtetutës. Nuk duhet që të bëjmë lojën politike, për një çështje që është parimore dhe kushtetuese. Nuk po diskutojmë që Parlamenti të caktojë këto katër anëtarë, por po diskutojmë që gjyqtarët e Shqipërisë të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur lirisht në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të tyret, jo të mazhorancës, jo të opozitës, jo të Presidentit. Janë të identifikuar njerëzit e disbalancës në KLD, disbalancës në favor të politikës, dhe të thyerjes së dominancës së gjyqësorit. Janë emra konkretë, janë individë konkretë, janë njerëz ,që kanë thënë që e duan KLD-në, kështu siç është. Ndërkohë që, Kushtetuta do një KLD tjetër. Nuk funksionon kështu rendi kushtetues. Rendi kushtetues funksionon duke vënë të parët parimet, pastaj interesat private të grupit, që përfaqësohen në KLD.
A mos ka një përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, për të pasur anëtarët e tyre në KLD?
Kjo, nuk është betejë midis opozitës dhe mazhorancës. Nuk është betejë politike. Beteja jonë politike është bojkoti. Nuk është ky problemi. Problemi është lidhur me prishjen e balancës në KLD, që është ngritur nga gjyqtarët e Shqipërisë, të cilët kanë konstatuar që ka gati një vit, që KLD-ja nuk funksionon sipas rendit kushtetues. Ne po themi, lëreni gjyqësorin të zgjedhë përfaqësuesit e vet në KLD, jo opozitën, jo mazhorancën.
A nuk shmanget ligji në këtë rast?
Jo nuk shmanget ligji. Pjesën më madhe të ekzistencës së vet, ky organ kushtetues ka funksionuar pa këtë ligj, që thoni ju. Në këtë ligj, ai ka funksionuar vetëm tre vjet. Sigurisht, që nuk asnjë pengesë, që ky organ të funksionojë me një ligj të ri. Nuk mund të themi se për shkak se nuk miratohet ky ligj, duhet të prishim balancën kushtetuese dhe t'i heqim të drejtën kushtetuese gjyqësorit. Asnjë ligj dhe mungesa e ligjit nuk mund të dhunojë të drejtën e tyre kushtetuese.
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, e ka kundërshtuar vetadministrimin për zgjedhjen e anëtarëve të këtij organi. Cili është komenti juaj?
Ajo, që besoj unë është që, nënkryetari i KLD-së, nuk përfaqëson një vullnet të vetin individual, sepse nuk e ka tagrin për këtë punë. Fakti, që nënkryetari i KLD-së kërkon medoemos, të pengojë rivendosjen e rendit kushtetues në funksionimin e KLD-së, unë besoj se nënkryetari i KLD ka një hall vetjak, personal dhe me personal nuk nënkuptoj individin konkret, ka një hall jokushtetues që kërkon ta imponojë me mekanizma jo kushtetues. Pse nuk pranon nënkryetari i KLD-së, që gjyqtarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, dhe jo politika, dhe të ushtrojnë pushtetin që u ka dhënë Kushtetuta. Sot, nuk e ushtrojnë gjyqtarët, sepse janë në minorancë në KLD. Sot, ndoshta e ushtron nënkryetari i KLD-së, në mënyrë abuzive dhe jokushtetuese këtë pushtet.