Russell Brand, në komedinë “Arthur” në Millennium
Kur doli në vitin 1981, “Arthur” i Steve Gordon, u prit mjaft mirë nga publiku dhe nga kritika madje fitoi dy çmime Oskar ( për aktorin më të mirë joprotagonist dhe muzikën më të mirë). 30 vjet pas shfaqjes së parë, milioneri ekcentrik, Artur rikthehet në ekranin e madh të kinemasë, këtë herë nën regjinë e Jason Winer (Modern Family) e talentit ekstravagant të Russell Brand. E shoqërojnë protagonistin Greta Gerwig, Jennifer Garner e fituesja e Oskarit, Helen Mirren, në rolin e Hobson, personazhit kyç të filmit. Historinë e re të Arthur Bach, milioneri i papjekur dhe i pandërgjegjshëm, që pasi dashurohet marrëzisht pas Naomit, gjendet papritur në mes të një dileme thelbësore, publiku shqiptar do të ketë mundësi ta ndjekë në kinema ‘Millennium’, ku projeksionet e komedisë “Arthur” fillojnë prej ditës së premte, më 10 qershor. Artur është një milioner i ri, që zbavitet gjatë argëtimeve të shfrenuara dhe femrave. Por nëna e tij nuk aprovon zgjedhjet që ai bën në jetë, ndaj e detyron që të martohet me një grua të pasur. Artur nuk i jep rëndësi çështjes, por kur bie në dashuri me të bukurën Naomi, një vajzë mjaft modeste, e cila jeton duke punuar si agjente turizmi e duke shpresuar që të bëhet shkrimtare për fëmijë. Ai dashurohet marrëzisht pas saj dhe i duhet të zgjedhë mes dashurisë dhe parasë. Rolin e miliarderit plejboj e interpreton anglezi Russell Brand, ndërsa më parë Arthur Bach interpretohej nga Dudley Moore. Së bashku me të është edhe Helen Mirren, në rolin e governantes që përpiqet ta mbajë larg telasheve, Jennifer Garner luan Susan, trashëgimtaren e pasur që pret të martohet me Arthur, ndërsa Greta Gerwig në rolin e Naomit, vajzës me të cilën miliarderi bie në dashuri e madje rrezikon edhe pasurinë e tij. Se çfarë ndodh më tej, gjithçka zbulojeni duke shijuar komedinë moderne në kinema “Millennium”, në Tiranë.