Ruzhdi Matoshi: Nga kjo ngjarje jemi prekur të gjithë, sepse jemi një komb
- Kryeministri Berisha pret një delegacion nga Partia Demokratike Shqiptare e Maqedonisë (PDSH), të kryesuar nga nënkryetari dhe njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie Ruzhdi Matoshi.
Kryeministri Berisha priti sot në mbrëmje një delegacion nga Partia Demokratike Shqiptare e Maqedonisë (PDSH), të kryesuar nga nënkryetari dhe njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie Ruzhdi Matoshi. Në përbërje të delegacionit ishin edhe Zëvendëskryeministri Imer Aliu dhe disa ministra të qeverisë së Maqedonisë, anëtar të kësaj partie. Ata i shprehën Kryeministrit Berisha ngushëllimet për familjet e viktimave të ngjarjes tragjike në Gërdec të Vorës dhe solidaritetin dhe mbështetjen për kapërcimin e kësaj tragjedie. Kryeministri i përcolli delegacionit të PDSH-së falënderimet për qeverinë e Maqedonisë dhe ndihmën që ajo ka ofruar.
Kryeministri Berisha i njohu me situatën dhe masat që ka ndërmarrë qeveria dhe të gjitha institucionet dhe me operacionet e pandërprera të shpëtim-kërkimit. Kryeministri u shpreh se në mesin e kësaj dhimbjeje të madhe pozita dhe opozita shqiptare janë të bashkuara për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj tragjedie.
Zoti Matoshi u shpreh se ka një solidaritet shumë të madh nga ana e shqiptarëve të Maqedonisë për këtë ngjarje targjike, ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë dhurimi i gjakut, si dhe shoqata e mjekëve shqiptarë të Maqedonisë ka ofruar mbështetjen e saj me ekipe mjekësore.
Pas takimit, zoti Berisha dhe kryetari i delegacionit të PDSH-së, zoti Matoshi u shprehën për mediat:
Kryeministri Berisha: Pata shumë kënaqësi që prita në takim delegacionin e Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë dhe dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë PDSH-së, kryetarit të grupit të parlamentarëve, zotit Matoshi që kryeson këtë delegacion, Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, zotin Imer Aliu, ministrave dhe drejtuesve të tjerë kryesorë të PDSH-së për vizitën e tyre dhe solidaritetin e madh që vjen në tërësi nga Maqedonia. Dje, ne kishim këtu ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, ndërkohë Kryeministri Gruevski më telefonoi dhe shqiptarët u mobilizuan për të dhënë gjak dhe për të dhënë të gjitha ndihmën e nevojshme, sikundër i ofroi dhe qeveria. Kjo vizitë dhe ky solidaritet vëllazëror është vërtet lehtësues për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre, për të plagosurit që janë në shërim e sipër, për qeverinë dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Unë i njoha përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë me të gjitha përpjekjet që ka bërë qeveria dhe po bën për këtë situatë, për të përballuar në mënyrë sa më të vendosur e të plotë pasojat e kësaj fatkeqësia të madhe që ka pllakosur bashkinë e Vorës, por edhe vendin në tërësi. Ju falënderoj edhe një herë për këtë vizitë, për mesazhin dhe ndjenjat vëllazërore që sollët në Shqipëri në këtë moment, që çdo shqiptar e ndjen si një lehtësim.
Zoti Matoshi: Ne jemi sot, këtu, për t’u solidarizuar me ju si komb, si popull të një gjaku. Në emër të qytetarëve të Maqedonisë, në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, në emër të kryetarit të PDSH-së, ndajmë dhimbjen me familjarët që kanë humbur të dashurit të tyre, ndajmë dhimbjen me qeverinë shqiptare dhe me popullin shqiptar. Nga kjo ngjarje jemi prekur edhe ne të gjithë, për arsye se jemi një komb.
Zoti Kryeministër na sqaroi dhe na shpjegoi për kapacitet manaxhuese që ka vënë në dispozicion qeveria dhe për ne të gjithë është mirë kur shteti në mënyrë shumë praktike po menaxhon dhe po mundohet në mënyrë sa më të shpejtë t’u vijë në ndihmë të gjithë banorëve të zonës. Ju faleminderit!
Pyetje: Zoti Kryeministër, ju keni pasur dje një takim me zotin Thaçi, ndërsa sot jeni takuar me delegacionin e PDSH-së, pjesë e koalicionit qeverisës. A keni diskutuar sot me ta për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë dhe për largimin e PDSH-së nga koalicioni qeverisës?
Kryeministri Berisha: Dje, unë kam pasur një takim politik me zotin Thaçi dhe patëm fatin të keq që në mes të takimit të ndodhin tronditjet që ndodhën. Unë u informova në mes të takimit për tragjedinë e Gërdecit.
Pra, takimi i djeshëm ishte një takim politik në të cilin diskutuam gjerësisht për zhvillimet politike në të dy vendet dhe më gjerë. E rëndësishme është se zoti Thaçi dhe të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoni janë forca të vendosura pro atlantiste, janë forca për të dhënë çdo kontribut për anëtarësimin e vendit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Për këtë, unë nuk kisha mëdyshje, por mora garanci për qëndrimin më të vendosur të zotit Thaçi, bashkëpunëtorëve dhe deputetëve të tij në Parlament. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë, sepse paqja dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme. Në këtë takim, e sigurova zotin Thaçi se unë dhe qeveria shqiptare mbështesim tërësisht paqen dhe stabilitetin në Maqedoni, mbështesim plotësisht zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si një marrëveshje e cila, e zbatuar plotësisht, do të shndërrohet në një dokument themelor paqeje dhe stabiliteti në republikën e Maqedonisë.
Sa i përket Kosovës, Marrëveshja e Ohrit nuk e ka të shkruar detyrimin e Maqedonisë për të njohur Kosovën. Këto janë dy gjera të ndryshme dhe miqtë e mi e kanë të qartë këtë. Ata kanë shprehur një dëshirë, por që nuk mund të kushtëzohet. Sikundër kam besim të plotë se autoritetet maqedonase janë duke e konsideruar dhe e konsiderojnë seriozisht këtë moment. Edhe njëherë e theksoj që në Marrëveshjen e Ohrit nuk ka asgjë të shkruar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe pse dëshirën e kanë. Kërkesat për Marrëveshjen e Ohrit janë kërkesa me legjitimitet kombëtar dhe ndërkombëtar. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të zbatohet.